
Në Romë, në ambientet historike të Villa Doria Pamphili, u zhvillua sot mbledhja e parë ndërqeveritare mes Qeverisë së Italisë dhe Qeverisë së Shqipërisë, një format i ri bashkëpunimi G2G që synon thellimin e marrëdhënieve strategjike mes të dy vendeve.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, të shoqëruar nga ekipet respektive qeveritare, u ulën ballë për ballë për të finalizuar një sërë marrëveshjesh të rëndësishme dypalëshe. Takimi nisi me një ceremoni mirëseardhjeje mes Melonit dhe Ramës, të cilën kryeministri shqiptar e cilësoi “motër”.
Nga kabineti shqiptar morën pjesë 11 ministra, ndërsa pas takimit të delegacioneve, në orën 14:00 u zhvillua ceremonia e shkëmbimit të marrëveshjeve.
16 marrëveshje dhe memorandume në fusha strategjike
Sipas draftit të siguruar nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, paketat e bashkëpunimit përfshijnë sektorë kyç të politikave publike dhe sigurisë kombëtare:
1. Shëndetësia
- Projekte për përmirësimin e kujdesit neonatal dhe maternal.
- Zhvillim i protokolleve të përbashkëta në sektorin e emergjencave shëndetësore.
2. Energjia dhe mjedisi
- Memorandume për tranzicion energjetik dhe bashkëpunim në mbrojtjen e mjedisit.
- Projekte të përbashkëta në energji të rinovueshme.
3. Siguria dhe mbrojtja civile
- Marrëveshje për grante dhe hua të buta për pajisje dhe operacione.
- Mbështetje italiane për trajnime të strukturave shqiptare të emergjencave.
- Deklaratë e përbashkët mbi koordinimin institucional.
4. Siguria kibernetike
- Memorandum mes Ministrive të Jashtme për forcimin e kapaciteteve kibernetike dhe mbrojtjen nga sulmet dixhitale.
5. Arsimi dhe inovacioni
- Programe të përbashkëta në shkëmbime akademike, kërkim shkencor dhe inovacion teknologjik.
6. Mbrojtja dhe bashkëpunimi ushtarak
- Transferim i mjeteve detare nga pala italiane.
- Marrëveshje bashkëpunimi mes kompanive “Leonardo”, “Fincantieri” dhe partnerëve shqiptarë.
- Trajnime të avancuara për forcat e armatosura dhe për strukturat detare.
7. Lufta kundër trafikut të drogës
- Memorandum i nënshkruar mes Ministrive të Brendshme të të dy vendeve për operacione të përbashkëta, shkëmbim informacioni dhe koordinim policor.
Takimi i sotëm shënon një hap të ri në marrëdhëniet dypalëshe, duke forcuar partneritetin strategjik në fusha jetike për zhvillimin e Shqipërisë dhe sigurinë rajonale.




