
ROMË – Bashkia e Romës ka nisur një projekt pilot të quajtur “VetinCentro”, i cili synon të ofrojë shërbime veterinare për kafshët që jetojnë në familje me vështirësi ekonomike, me qëllim parandalimin e braktisjes dhe mbështetjen sociale të pronarëve.
Programi i mirëqenies është i dedikuar kryesisht për të moshuarit mbi 65 vjeç që jetojnë vetëm, familjet me të ardhura të ulëta dhe qytetarët që rrezikojnë të heqin dorë nga kafsha e tyre për shkak të kostove.
Çfarë përfshin projekti
Vendimi parashikon paketa të veçanta shërbimesh veterinare, ndër të cilat:
- vizitë klinike bazë dhe vlerësim të gjendjes shëndetësore të kafshës
- vendosje mikroçipi dhe regjistrim në databazën përkatëse
- vaksinime dhe trajtime bazë kundër parazitëve
- ndërhyrje të vogla urgjente ose parandaluese
- këshillim për sjelljen dhe ushqimin
- edukim për menaxhimin e përgjegjshëm të kafshëve shtëpiake
Shërbimet do të ofrohen në klinika veterinare të kontraktuara dhe, në disa raste, edhe përmes njësive lëvizëse.
“Një model për të gjithë Romën”
Projekti realizohet në bashkëpunim me shërbimet sociale, autoritetin shëndetësor lokal dhe organizata të sektorit të tretë.
“Me VetinCentro po afirmojmë një parim themelor: mirëqenia e kafshëve është pjesë integrale e mirëqenies sociale,” deklaroi Stefano Marin, përgjegjës për mjedisin në bashkinë e parë të Romës. Sipas tij, për shumë persona në gjendje të brishtë, një kafshë shtëpiake përfaqëson një mbështetje emocionale thelbësore.
Nisma i është dërguar tashmë bashkisë së Romës për të shqyrtuar mundësinë e shtrirjes në të gjithë qytetin.
Mbështetje nga organizatat për mbrojtjen e kafshëve
Shoqata kundër viviseksionit (LAV) e mirëpriti vendimin, duke theksuar se e drejta për kujdes duhet të garantohet edhe për kafshët familjare.
Sipas organizatës, veterinaria sociale nuk është një shërbim dytësor, por një instrument i rëndësishëm barazie dhe qytetarie. LAV shpreson që iniciativa të ndiqet edhe nga bashki të tjera dhe të mbështetet nga rajoni Lazio.






