
Roma ofron një bonus prej 500 eurosh për të nxitur adoptimin e qenve dhe maceve nga strehimoret komunale ose të kontraktuara.
Kjo iniciativë, e promovuar për mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve në Bashkia Romë, synon të mbështesë qytetarët me vështirësi ekonomike që vendosin të adoptojnë një kafshë gjatë vitit 2025.
Si funksionon dhe kush mund ta përfitojë:
- Kupon: Shuma prej 500 eurosh është e dedikuar për blerjen e ushqimeve dhe aksesorëve të domosdoshëm për mirëqenien e kafshës.
- Kushtet: Kontributi është i rezervuar për personat me të ardhura familjare (ISEE) jo më të larta se 20.000 euro.
- Përdorimi: Kuponi mund të përdoret në një dyqan të madh të specializuar, që aktualisht po përcaktohet nga Bashkia.
- Afati: Aplikimet mund të dorëzohen online në faqen zyrtare të Roma Capitale deri më 3 nëntor, ora 12:00.
Zyrtarja Patrizia Prestipino, theksoi qëllimin e nismës për agjencinë e lajmeve italiane PETNEWS24:
“Me këtë iniciativë mendojmë për ata që duan ose do të donin të adoptonin një qen apo një mace, por kanë frikë se nuk mund ta përballojnë. Adoptimi dhe dashuria për një kafshë duhet të jenë një e drejtë për të gjithë, dhe për këtë Roma Capitale do të mbështesë këto adoptime në strehimoret komunale dhe të kontraktuara, që dashuria të jetë një e drejtë për të gjithë.”