
Deputeti i PS, Erion Braçe komentoi rezultatin e 11 majit dhe fitoren e thellë të PS me 83 mandate.
Kjo ‘fuqi’ që shqiptarët i dhanë Partisë Socialiste me në krye Edi Ramën, për Braçen duhet të jetë një sinjal për të ndryshuar fort.
Për Braçen, procesi i rinumërimit po bëhet pa asnjë lloj prove, por gjithsesi ai thotë se PD po ndjek rrugën institucionale për pretendimet e saj, por kujdeset që të nënvizojë se në fund duhet të njohë vendimin publik të këtyre institucioneve.
“Në 2009 drejtoja fushatën elektorale të PS në Berat. Kam humbur mandatin e pestë në Berat, nuk është habi që PS fiton dy herë rresht nga 5 mandate në Berat. E kam humbur me 40 vota në raport me PD dhe 38 me LSI. Kodi atëherë nuk kishte këto parashikime që ka sot për rinumërimin. Berati në atë kohë u bë shembulli që i vlejti gjithë Shqipërisë për të hapur sytë dhe për të parë se çfarë kishte ndodhur gjatë procesit të rinumërimit.
Në berat natën e fundit para se të mbyllej procesi i rinumërimit të votave u prenë dritat në Pallatin e Kulturës ku po numëroheshin votat e bashkisë së Beratit. Ne menduam që pallati ka qenë bosh dhe në mëngjes rezultati ndryshoi. Kam kërkuar rinumërim për shkak se ishin 40 vota dhe 38 vota diferenca. Zotëria që keni pas shpinës suaj çoi haber dhe tha mund të hapet gjithë Shqipëria, vetëm berati jo.
Unë e kisha të qartë çfarë kishte ndodhur, për shkak të asaj lëvizje që pasoi zgjedhjet e 2009, sot rinumërohen votat automatikisht. Pa asnjë lloj prove, demonstratë, proteste, greve urie. Këta janë në të drejtën e tyre të kërkojnë rinumërim. Kjo tregon që ne nuk jemi ata, jemi ndryshe. Ja ku jemi për shkak të sakrificës që bënë socialistët, nuk u futën në kuvend, kanë bërë protesta, u futën në grevë urie dhe në fund fare morëm ndryshimet në kod që po i shfrytëzojnë këta.
Rinumërohet Tirana se në kod është shkruar që dy anëtarët e kas çojnë në rinumërim. Rinumërohet Fieri pa asnjë provë, nuk ka asnjë provë në Fier, pretendime kanë, por jo prova. Në Fier, nuk është PD që ka kërkuar rinumërim. Është një tjetër që para zgjedhjeve thoshte do marr 71 mandate, pas zgjedhjeve është me 1 mandat dhe thotë më kanë vjedhur 70 mandate. Se si mund të vidhen vetëm një magjistar si puna e tij mund ta konceptojë”, tha Braçe në emisionin ‘Frontline Interview’ në Report Tv.
Braçe iu drejtoi dhe një pyetje kundërshtarëve politikë.
“Pyetja që kam unë, nëse pas rinumërimit konfirmohen të gjithë këto mandate, do kenë më fytyrë të gjithë këta? Nëse votat dalin me ato gabimet njerëzore, që janë të natyrshme kur rri një javë duke rinumëruar, dalin të njëjtat dhe konfirmojnë të njëjtin numër mandatesh, çfarë do thonë?”, thekson Braçe. /Tema