
Është rreth orës 19:00 të së dielës, intervista e fundit e Francois Bayrou ka vazhduar për gati një orë, dhe katër gazetarët e rrjeteve franceze të lajmeve, të ftuar në pallatin Matignon, selinë e kryeministrit, përpiqen të kuptojnë nëse ka ende ndonjë shpresë kompromisi mes partive, përpara votëbesimit të 8 shtatorit dhe rrëzimit të qeverisë që duket pothuajse i pashmangshëm.
Për shembull, për të rregulluar buxhetin katastrofik të shtetit, socialistët kërkojnë të rriten taksat për francezët më të pasur. A do të ishte i gatshëm Bayrou t’i dëgjonte? “Qytetarët më të pasur do të linin Francën”, përgjigjet kryeministri, “sepse tashmë ekziston një lloj, si i thonë, nomadizmi fiskal, përmes të cilit kontribuuesit shkojnë të jetojnë ku… Italia sot po bën një politikë dumping-u fiskal”.
Gazetarja e ndërpret, por Bayrou e përsërit frazën mbi Italinë që po bënte “dumping fiskal”, domethënë po i nxit qytetarët francezë të transferoheshin në Itali duke i tërhequr me taksa më të ulëta se ato që paguajnë në Francë. Akuzën nuk e kapin katër intervistuesit (kalojnë shpejt në tjetër temë), por ajo nuk kalon pa u vënë re në Romë.
Disa orë më vonë, kryeministrja Giorgia Meloni përgjigjet me një shënim shumë të ashpër të publikuar në X: “Habitemi nga pohimet, krejtësisht të pabazuara, të kryeministrit francez François Bayrou, sipas të cilave Italia po bënte “dumping fiskal”, duke penalizuar Francën. Ekonomia italiane është atraktive dhe po ecën më mirë se të tjerat falë stabilitetit dhe besueshmërisë së kombit tonë. Italia nuk aplikon politika të pajustifikuara favori fiskal për të tërhequr kompani evropiane dhe, me këtë qeveri, madje ka dyfishuar barrën e taksës fikse në fuqi që nga viti 2016 për individët që transferojnë vendbanimin e tyre në Itali. Italia është përkundrazi, prej shumë vitesh, e penalizuar nga të ashtuquajturit “parajsa fiskale evropiane”, që i kanë hequr arkës sonë publike burime të mëdha. Besojmë se, pas këtyre deklaratave të kryeministrit të saj, Franca do të dëshirojë më në fund t’i bashkohet Italisë për të ndërhyrë në kuadër të Bashkimit Evropian kundër atyre shteteve anëtare që aplikojnë gjithmonë dumping fiskal sistematik, me bashkëpunimin e disa shteteve evropiane”.
Për Bayroun, ky është një incident i tepërt: ndërsa komentatorët francezë analizojnë intervistën duke e konsideruar pothuajse të humbur në frontin e brendshëm, hapet edhe një përplasje e re me Italinë. Këtë herë jo për frazat pak diplomatike të ministrit Salvini, por për daljen e vetë kryeministrit francez, ndoshta i prekur nga shumë artikuj lëvdues për ekonominë italiane të botuar muajt e fundit në Francë.
Qeveria italiane përgjigjet e bashkuar: pas Melonit, mbërrin një deklaratë e Legës — “sulm i rëndë dhe i papranueshëm ndaj Italisë, sipërmarrësve dhe punëtorëve të saj, nga një qeveri franceze tashmë në krizë të plotë. Le të mbetet tek ata nervozizmi dhe polemikat, ne preferojmë të punojmë – , dhe më pas reagimi i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme Antonio Tajani (Forza Italia), zakonisht shumë i kujdesshëm në marrëdhëniet me Parisin.
Në një intervistë për Messaggero, Tajani thotë: “Jam i habitur, një akuzë frut i një arsyetimi krejtësisht të gabuar. Nuk dua të komentoj situatën në Francë, por nëse Italia ecën në një kurs ekonomik pozitiv dhe mban një soliditet politik të rëndësishëm kjo nuk është sepse praktikon dumping fiskal dhe komploton kundër vendeve të tjera evropiane. Ka të tjerë, vërtet parajsa fiskale në Evropë, ka të tjera anomali të thella në BE që duhen korrigjuar”. /Corriere della sera