Para 16 muajsh kryetari aktual i bashkisë Vlorë, Ermal Dredha kandidat për kryetar bashkie, në këmbim të votës u premtoi qytetarëve “Rikualifikimin total të tregjeve”.

Faktoje i vizitoi këto tregje, në dhjetor të 2023 dhe   për të dytën herë pas nëntë muajve, 20 shtator 2024, dhe nga verifikimet rezulton se nuk është bërë asnjë ndryshim në përmirësimin e kushteve të tregjeve ekzistuese.

yacht hotel sarande

Një ndër premtimet prioritare përgjatë fushatës së 14 majit 2023, të kryetarit aktual të Bashkisë Vlorë Ermal Dredha, ishte rikualifikimi total i tregjeve të qytetit, brenda dy viteve.

Pas një kërkese për informacion drejtuar bashkisë Vlorë se çfarë po bëhej me rikualifikimin e tregjeve, përgjigja që morëm ishte se “janë në një fazë studimi fizibiliteti”.

Pas verifikimeve në terren konstatuam që në Vlorë janë 3 tregje: tregu i Konfeksioneve (Sahatit), tregu i Çoles dhe tregu i shumicës.

Tregu i Konfeksioneve i çili njihet me emrin “Tregu i sahatit” gjendej përmes rrugicave të ngushta të një lagjeje të qytetit.

Banorët e zonës shisnin nën kushte aspak të përshtatshme, me çadra e tenda të grira nga qielli, rrugë të prishura, me gropa, që në ditët me shi kthehen në pellgje llumi, duke e bërë dhe më të trishtë panoramën e një zone tregtare që po vuan dhe rënien e numrit të blerësve.

Për një çadër të vogël dhe disa dërrasa, një shitësi i duhet të paguajë 2.500 lekë në muaj.


“Unë punoj në këtë treg që me ardhjen e demokracisë dhe paguaj qiranë aq sa s’më del fitimi” shprehet një shitës pensionist, duke shtuar më tej se detyrohet të punojë sepse, sipas tij, pensioni i ulët që merr nuk i del për të mbuluar shpenzimet.

Tregu i Çoles, i njohur për fruta dhe perime, ka pësuar një rënie dramatike, me numrin e tezgave që ka rënë në vetëm 10, nga afro 100 që ishin disa vite më parë.

Një nga shitëset na tregoi se nuk ka realizuar asnjë fitim për një javë të tërë, duke e lidhur këtë me uljen e numrit të blerësve dhe vështirësitë ekonomike që po përjetojnë njerëzit.

Ajo thekson se tregu nuk ka pësuar asnjë rregullim dhe gjendja është e njëjtë si më parë, duke reflektuar një mungesë totale angazhimi për përmirësimin e kushteve.


“Unë shes rroba të përdorura, ama në këtë treg s’kanë bërë asnjë herë rregullim, siç edhe duket sepse çfarë bie jashtë, bie dhe brenda” tha ajo për Faktoje.

Tregu i Shumicës punon në orët e para të mëngjesit dhe shpërndan fruta-perime.

Hyrja dhe ambientet e jashtme të tregut të Shumicës
Në ambientet e brendshme të tregut nuk arritëm të futeshim dot sepse disa punëtorë nuk na lejuan duke thëne: “Kushtet janë shumë të mira sepse janë bërë restaurime hera-herës”

Përfundim
Premtimi i bërë më 9 maj 2023 nga kandidati Ermal Dredha për rikualifikimin e tregjeve deri më tani, nuk reflektohet në realitet. Qartazi, dhe verifikimet në terren bëjnë që ky premtim të konsiderohet i pambajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu