Kreu i PD-së Sali Berisha, gjatë Foltores së radhës të mbajtur në Elbasan sot më 12 dhjetor, komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që riktheu në detyrë zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Berisha tha se e priste që Balluku të rikthehet në detyrë. Ai shtoi se kryeministri Edi Rama e diktoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese.

“Rama diktoi gjykatën dhe i hoqi masën e pezullimit Ballukut. Ishte vendim i pritshëm. E mori Ramën për fyti, e vuri përpara sepse në Ankara, Rama e mori Ballukun, kur bënë pazarin e Tunelit të Llogarasë”, deklaroi Berisha.

Ndër të tjera, Sali Berisha në fjalën e tij në këtë takim nënvizoi se kryeministri Edi Rama ka vjedhur zgjedhjet dhe se nuk ka fituar kurrë zgjedhjet.

“35 vite më parë qytetarët në Elbasan u ngritën kundër diktaturës, për të sjellë demokraci në vend. Qytetarët nuk u ndalën as nga tanket dhe as ushtria represive e regjimit të Hoxhës. Në atë kohë, me guxim u themelua në Elbasan, Partia Demokratike e Shqipërisë. Ne demokratët jemi njerëz të idealeve dhe u ngritëm në vitin 1990 për interesin kombëtar. Ne jemi të pamposhtur. Me Edi Ramën zgjedhje nuk ka. Këto vetëm zgjedhje nuk quhen, ishin të vjedhura nga fundi në krye. Zgjedhjet u blenë me para droge. Edi Rama kurrë nuk fitoi zgjedhje, i rrëmbeu me dhunë e me forcë. Unë e kisha thënë me kohë që me Ramën nuk ka zgjedhje, por unë u zotova se do ta mbroj votën. E mbrojtëm votën, këtë e bëmë në të gjithë Shqipërinë gjatë periudhës së verës. Jemi në pjesën më kritike të historisë së PD-së. Duhet ta kuptojmë se pa votë të lirë, ne të ardhme nuk kemi. Revoltë, revoltë deri në fitore. Jemi këtu për t’i bërë ballë shkombëtarizimit të vendit. Duhet të mbrojmë vlerat e forta të familjes”, tha Berisha.

Kreu demokrat Sali Berisha po mban Foltoren e radhës në Elbasan, pasi mbajti tre Foltore përpara Kryeministrisë dhe një në Mirditë.

/tvklan.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu