
Rihanna i mahniti të pranishmit në premierën globale të filmit të animuar “The Smurfs Movie” në Bruksel, teksa u shfaq në tapetin e kuq me një fustan rrjetë ngjyrë bruz që nxirrte në pah barkun e saj të rrumbullakosur nga shtatzënia e tretë.
Ylli 37-vjeçare, e cila i jep zë personazhit Smurfette, u shfaq me humor të mirë dhe me një paraqitje plot shkëlqim, duke ecur dorë për dore me partnerin e saj, reperin ASAP Rocky.
Çifti, që është bashkë prej fundvitit 2019, pritet të mirëpresë fëmijën e tyre të tretë pas dy djemve, RZA dhe Riot, shkruan DailyMail.

Në event ishin të pranishëm edhe figura të tjera të njohura, përfshirë James Corden, i cili gjithashtu është pjesë e kastit të filmit, edhe pse roli i tij nuk është zbuluar ende.
Paraqitja e Rihannës në premierën festive vjen në një periudhë të ngarkuar emocionale për të, pas vdekjes së babait të saj, Ronald Fenty, më 30 maj.
Sipas raportimeve, ai ndërroi jetë nga një sërë komplikacionesh shëndetësore, përfshirë kancerin e pankreasit dhe dështimin e frymëmarrjes.
Një burim pranë saj tha se, megjithë marrëdhënien e ndërlikuar me të atin, kjo humbje ka qenë tronditëse për të.
Megjithatë, Rihanna ka vijuar me angazhimet e saj profesionale, duke sjellë zërin e saj në një nga personazhet më të dashur të fëmijërisë në këtë projekt të ri nga Paramount dhe Nickelodeon.
Pamjet e para nga filmi janë pritur me entuziazëm që prej prezantimit të tyre në Festivalin e Animacionit në Annecy, ndërsa fansat mezi presin ta dëgjojnë ikonën globale në një rol krejt ndryshe nga ajo që jemi mësuar. /Telegraf