
Të hënën, Aleanca e Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian do të nisë një proces të ri bashkëpunimi me forcat progresiste të dhjetë vendeve aspirante për anëtarësim në Bashkimin Europian, përmes rilançimit të programit simbolik Willy Brandt për Zgjerimin e BE-së.
Në këtë konferencë të nivelit të lartë do të marrë pjesë edhe Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në një moment kyç për të ardhmen europiane të rajonit.
Programi, i emërtuar në nder të ish-kancelarit gjerman dhe laureatit të Nobelit për Paqe, Willy Brandt – simbol i pajtimit mes Lindjes dhe Perëndimit – synon të fuqizojë rolin e forcave progresiste dhe shoqërisë civile në vendet kandidate, duke përshpejtuar procesin e anëtarësimit në BE për periudhën 2024–2029.
Në një kohë kur Europa përballet me sfida të mëdha gjeopolitike dhe pasiguri globale, ky rilançim synon të forcojë demokracinë, sigurinë dhe mirëqenien në lagjen e saj më të afërt dhe, për rrjedhojë, edhe brenda vetë Bashkimit Europian.
Konferenca do të organizohet nga nënkryetarja e S&D për zgjerimin, Kathleen Van Brempt, zëdhënësi për punët e jashtme, Nacho Sánchez Amor, si dhe raportuesit e Parlamentit Europian për Serbinë dhe Shqipërinë, Tonino Picula dhe Andreas Schieder.
Mes folësve të nivelit të lartë do të jenë gjithashtu kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministra dhe liderë të forcave progresiste nga vendet aspirante për anëtarësim në BE.