
Forcat zjarrfikëse të Fierit, Patosit, Roskovecit, punonjës të pyjores dhe banorë të zonës i janë bashkuar aksionit për shuarjen e flakëve në masivin pyjor të Darëzezës.
Zjarri i djeshëm masiv u shua mëngjesin e sotëm, por në mesditë vatrat e zjarrit u riaktivizuan duke u përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të konsiderueshme. Terreni i vështirë ranor e ka bërë të pamundur ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse duke detyruar efektivët të përdorin mjete rrethanore.
Ndërkohë Bashkia Fier ka vënë në dispozicion edhe një traktor me zinxhir për hapjen e korridoreve. Riaktivizimi i vatrave të zjarrit në Darëzezë ka ndodhur paralelisht me një një tjetër vatër zjarri në kodrat e Zhupanit ku edhe në këtë zonë ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse ka qënë e kufizuar.
Burime pranë prefekturës Fier, bëjnë me dije se është bërë kërkesë për ndërhyrje nga ajri./(BalkanWeb)