Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në punimet e edicionit të 9-të të Forumit prestigjioz “Future Investment Initiative” (FII), zhvilluar në Riad, Arabinë Saudite. Forumi konsiderohet një nga platformat më të rëndësishme në botë për inovacionin, teknologjinë dhe investimet e qëndrueshme.

Gjatë qëndrimit të tij, Kryeministri Rama zhvilloi takime me drejtues të Forumit, udhëheqës të organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësues të kompanive më të njohura globale, me potenciale të rëndësishme për investime në fusha me interes të ndërsjellë për Shqipërinë dhe partnerët ndërkombëtarë.

Në kuadër të aktivitetit, Rama mori pjesë si i ftuar në panelin e diskutimit me temë: “A po shkon njerëzimi në drejtimin e duhur?”, ku morën pjesë edhe Presidenti i Ruandës Paul Kagame, Presidenti i Guajanës Mohamed Irfaan Ali, Kryeministri i Pakistanit Muhammad Shahbaz Sharif, themeluesi i “Bridgewater Associates” Ray Dalio, si dhe Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino. Paneli u moderua nga Richard Attias, CEO i Institutit FII.

Në hapje të panelit, Attias prezantoi Kryeministrin shqiptar si “një udhëheqës me vizion dhe një artist i shkëlqyer, i cili di të frymëzojë përmes krijimtarisë dhe imagjinatës”.

Në fjalën e tij, Rama theksoi rëndësinë e bukurisë dhe imagjinatës si motorë zhvillimi për një vend dhe një shoqëri:

> “Ka vende të mrekullueshme që mund të jenë të varfëra, por nuk ka vende të shëmtuara që janë të begata. Ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes bukurisë dhe pasurisë. Ajo që po ndodh në Arabinë Saudite tregon se gjithçka është e mundur kur bashkohet vizioni me imagjinatën.”

 

Ai vuri në dukje se “ndërsa Perëndimi po përballet me inercinë e mërzitshme, vendet e Gjirit po frymëzojnë me energji dhe ide të reja që ndryshojnë realitetin për mirë”.

Në vijim, Rama foli edhe për rolin e Evropës dhe sfidat aktuale që ajo përjeton në raport me paqen dhe sigurinë:

> “Është shqetësuese që në Evropë flitet çdo ditë për armatime, ndërkohë që mungon një plan paqeje. Një kontinent që për vite u vu në autopilotin e Shteteve të Bashkuara, sot duhet të marrë një ‘dush përulësie’ dhe të reflektojë më shumë mbi atë që po ndodh në pjesët e tjera të botës.”

 

Në përfundim të fjalës së tij, Kryeministri Rama u shpreh se Europa duhet të rikthejë imagjinatën dhe frymën krijuese që dikur e bëri model për botën, duke mësuar nga transformimet pozitive që po ndodhin në Lindjen e Mesme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu