Një rezolutë e fortë ndërkombëtare në mbështetje të opozitës shqiptare dhe kundër asaj që cilësohet si “narko-regjim” në Shqipëri është miratuar unanimisht në Uashington nga Bashkimi Demokrat Ndërkombëtar (IDU). Lajmi u bë publik nga Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përmes një njoftimi zyrtar për shtyp.

Sipas Berishës, forumi i IDU-së, i cili bashkon rreth 80 parti politike të qendrës së djathtë dhe të djathta nga e gjithë bota dhe që udhëhiqet de facto nga Partia Republikane e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, votoi pa asnjë vërejtje rezolutën kushtuar situatës në Shqipëri. Në këtë forum marrin pjesë forca politike si Partia Republikane e SHBA-së, CDU e Gjermanisë, Partia Konservatore Britanike, Forza Italia, si dhe shumë parti të tjera evropiane dhe botërore.

Berisha theksoi se kjo është rezoluta e shtatë ndërkombëtare në harkun kohor të 14 muajve të fundit, ku forcat politike të qendrës së djathtë dhe të djathta kanë shprehur mbështetje të plotë për opozitën shqiptare dhe për qytetarët që, sipas tij, jetojnë nën një regjim autoritar. Sipas PD-së, dy rezoluta janë miratuar nga IDU, dy nga Partia Popullore Europiane dhe tre nga Internacionalja Demokrate e Qendrës.

Shqetësime për zgjedhjet dhe drejtësinë

Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se rezoluta mbështetet në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, treguesit e shtetit të së drejtës dhe dokumente të institucioneve ndërkombëtare. Dokumenti shpreh shqetësim për shkelje sistematike zgjedhore, përfshirë blerjen e votës, intimidimin, përdorimin e burimeve shtetërore dhe ndikimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në proceset elektorale.

Rezoluta, sipas PD-së, evidenton gjithashtu bllokimin e komisioneve hetimore parlamentare, mosrespektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe politizimin e drejtësisë, duke ngritur alarmin për përqendrimin e pushteteve dhe përdorimin selektiv të organeve të drejtësisë kundër opozitës.

Shqipëria si kërcënim për sigurinë rajonale

Një pjesë e rëndësishme e rezolutës i kushtohet akuzave se Shqipëria është shndërruar në një qendër rajonale për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave, me ndikim të drejtpërdrejtë në kontratat publike, ndërtim dhe sektorin e turizmit. Sipas dokumentit, kjo situatë cenon stabilitetin rajonal, sigurinë evropiane dhe besueshmërinë e procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

IDU u bën thirrje BE-së, SHBA-së dhe Këshillit të Europës të aplikojnë kushtezim strikt në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe të krijojnë mekanizma të pavarur ndërkombëtarë për monitorimin e zgjedhjeve, drejtësisë dhe medias. Gjithashtu, rezoluta kërkon vendosjen e sanksioneve të targetuara ndaj zyrtarëve dhe entiteteve të lidhura me korrupsion, krim të organizuar dhe persekutim politik.

Berisha: Një paralajmërim i qartë për narko-shtetin

Sipas Berishës, kjo rezolutë është një paralajmërim serioz për, sipas tij, “avokatët e narko-shtetit” brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai theksoi se, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, vendi po përballet me rënie dramatike të lindshmërisë, largim masiv të popullsisë dhe një rënie të ndjeshme të ekonomisë reale, të mbështetur gjithnjë e më shumë në taksa dhe jo në prodhim.

“Kurrë më parë bota perëndimore nuk ka folur me një gjuhë kaq të qartë në një dokument të vetëm për Shqipërinë”, u shpreh Berisha, duke e konsideruar rezolutën e IDU-së një mbështetje të fuqishme për opozitën shqiptare dhe një dëshmi se shqetësimi për situatën në vend ka marrë përmasa botërore.

Njoftimi u shpërnda nga Zyra e Medias dhe Komunikimit e Partisë Demokratike, e cila e cilëson rezolutën si një hap të rëndësishëm ndërkombëtar në betejën politike të opozitës shqiptare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu