Rebelët në Siri e kishin informuar Turqinë gjashtë muaj më parë për planet e tyre për një ofensivë të madhe, raporton Reuters.
Duke menduar se ata kishin marrë “OK” nga Ankaraja, rebelët ndjenë se ky ishte shansi i tyre për të sulmuar regjimin e Asadit.
“Ushtria e Asad ishte varfëruar dhe demoralizuar, aleatët e tij kryesorë, Irani dhe Hezbollahu, u dobësuan nga konflikti i tyre me Izraelin dhe Rusia e kishte kthyer vëmendjen e saj diku tjetër”, shkruan Reuters.
“Nuk kishte asnjë mënyrë që rebelët të vazhdonin pa informuar më parë Turqinë, e cila kishte mbështetur rezistencën siriane që në ditët e para të luftës në Siri”, tha një diplomat dhe anëtar i opozitës siriane për Reuters.
Rexhep Tajip Erdogan, i cili arriti një marrëveshje me Rusinë në vitin 2020 për të de-përshkallëzuar luftimet në Sirinë veriperëndimore, ka mohuar prej kohësh një ofensivë nga rebelët nga frika se do të shkaktonte një valë të re refugjatësh.
I njëjti burim për Reuters, thotë se rebelët i kishin paraqitur Turqisë detaje të planit të tyre me mesazhin se “rruga tjetër nuk funksionon prej vitesh, ndaj provoni tonën. Nuk duhet të bëni asgjë, thjesht mos ndërhyni”.
Të dielën, ministri i jashtëm turk Hakan Fidan tha nga Doha se përpjekjet e Erdoganit në muajt e fundit për të kontaktuar Assadin kishin dështuar dhe Turqia “e dinte se diçka do të ndodhte”.
Nga ana e tij, megjithatë, zëvendësministri i jashtëm i Turqisë, Nu Yilmaz, tha nga Bahreini se Ankaraja nuk qëndron pas sulmit rebel dhe nuk kishte dhënë asnjë miratim për atë që ndodhi./vizionplus.