
Reshjet e dendura të shiut, që kanë përfshirë Lezhën prej mesnatës, kanë shkaktuar probleme të shumta, kryesisht në zonat urbane. Sistemi i kanalizimeve nuk ka arritur të përballojë sasinë e madhe të prurjeve, duke sjellë përmbytje në bllokun e banimit “11 Janari” në lagjen “Besëlidhja”, si dhe në një sipërfaqe prej rreth 11.2 hektarësh.
Niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve. Kjo është hera e dytë që kjo zonë përmbytet brenda disa ditësh. Përmbytje janë raportuar edhe në disa segmente të aksit Lezhë–Shëngjin.
Ndërkohë, në pjesën më të madhe të territorit të qarkut raportohet edhe mungesë e energjisë elektrike për shkak të motit të keq. Ekipet përkatëse po punojnë për normalizimin e situatës./shqiptarja







