Reshjet e shiut kanë vijuar gjatë natës në të gjithë territorin e vendit, duke shkaktuar rënie gurësh, inertesh dhe prezencë uji në trupin e rrugës, ndërsa në zonat veriore janë regjistruar edhe reshje dëbore.

Sipas njoftimit zyrtar, dëbora ka rënë në lartësi mbi 1100 metra, konkretisht në akset Bogë–Theth, Hani i Hotit–Vermosh, Surel–Qafë Priskë–Qafë Mollë, Elbasan–Gjinar, Ibë–Krrabë–Elbasan dhe Qafë Mali–Fierzë.

Problematika janë evidentuar në disa akse rrugore. Në segmentin Qafë Dushk–Sevaster qarkullimi kryhet me një korsi për shkak të ngushtimit të rrugës, ndërsa aksi Valare–Erind–Çajup është i bllokuar për shkak të një rrëshqitjeje aktive dhe po punohet për hapjen e tij. Në Korçë–Dardhë raportohet shkarje anësore e trupit të rrugës, ndërsa në Përmet–Tre Urat ka shkarje masive aktive me zgjerim të çarjes rreth 10 centimetra.

Rrëshqitje dherash janë konstatuar edhe në aksin Librazhd–Qafë Thanë, ku pastrimi është në proces, ndërsa në Skuraj–Peshkopi dhe Dushaj–Lekbibaj janë regjistruar rënie gurësh dhe masivësh shkëmborë. Në zonën e Shkallës së Zezë në Gjirokastër qarkullimi është njëkalimsh dhe kërkohet vëmendje e shtuar, ndërsa në Llogara raportohet mjegull e dendur.

Kontraktorët e Autoritetit Rrugor Shqiptar janë në terren pa ndërprerje me mjete dhe punëtorë për pastrimin dhe normalizimin e situatës. Ndërkohë, drejtuesve të mjeteve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes të shtuar, të reduktojnë shpejtësinë, si dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë gjatë lëvizjes në zonat malore me prezencë dëbore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu