
Gjatë 24 orëve të fundit, moti i keq me reshje intensive ka shkaktuar dëme serioze në Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Fier, Vlorë, Elbasan, Korçë dhe Devoll. Strukturat e emergjencave civile, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, kanë qenë në gatishmëri të plotë dhe kanë monitoruar situatën pa ndërprerje në të gjitha qarqet e prekura.
Në fshatin Progovë, forcat e ushtrisë kanë nisur kërkimet në ujë për një grua të moshuar që rezulton e zhdukur, ndërsa në Sarandë janë raportuar dëme të rënda në blegtori, ku 500 krerë bagëti janë mbytur.
QARKU VLORË
Sot ka nisur tërheqja e ujërave të Vjosës. Për shkak të prurjeve të larta, në njësinë administrative Novoselë u evakuuan 7 familje të cilat u strehuan pranë të afërmve. Tre familje pranë urës së Mifolit u larguan për arsye sigurie. Në total, 10 familje janë evakuuar deri mbrëmjen e djeshme.
Në Himarë është hapur rruga midis fshatrave Shën Vasil–Nivicë, ndërsa punohet për pastrimin e segmentit Selenicë–Rromës.
Në Sarandë, monitorohet aksi Sarandë–Delvinë në Shelegar për shkak të daljes së lumit të Kalasës. Me prioritet po punohet në fshatin Çukë, ku është dëmtuar argjinatura e lumit Bistricë. OSHEE po punon për rilidhjen e energjisë në tunelin e Llogarasë.
Ndërhyrje janë kryer në Ksamil, Metoq dhe Vrion për largimin e ujërave nga disa banesa. Të gjitha rrugët në bashkinë Delvinë janë të kalueshme, ndërsa hidrovorët e Vlorës po punojnë me kapacitet të plotë.
View this post on Instagram
QARKU FIER
Po monitorohet situata e krijuar nga prurjet e Vjosës. Në segmentin Kashisht–Çerven–Ferras lumi ka dalë nga shtrati, por brenda argjinaturës. Rreth 50–60 ha tokë bujqësore janë nën ujë. Një familje është evakuuar në Çervën. Prezencë uji ka në oborret e 30 ndërtesave. Ndërkohë, si masë paraprake është stakuar stacioni i ujësjellësit në Kafaraj.
QARKU KORÇË
Situata vijohet të monitorohet për shkak të fryrjes së lumenjve Devoll dhe Dunavec. Devijime provizore të ujërave po kryhen në Dërsnik, Bulgarec dhe lagjen nr. 6. Punime janë në vijim në Sheqeras dhe në akset Qafë Plloçë–Qukës dhe Pogradec–Qafë Thanë për pastrimin e materialeve të rrëzuara.
QARKU LEZHË
Niveli i ujit në Shënkoll dhe Zejmen vijon të rritet për shkak të çarjes së argjinaturës së lagunës së Vainit. Në disa raste është kryer evakuim me varka. Punimet për riparimin e argjinaturës vazhdojnë. Ndërhyrje po kryhen në aksin Skuraj–Gallatë–Vinjollë të bashkisë Kurbin.
Në Mirditë situata është stabilizuar, ndërsa rrugët po rehabilitohen. Lumi Drin ka rënie niveli.
QARKU DURRËS
Në lumenjtë Erzen, Ishëm dhe Zezë nuk ka rritje të niveleve. Hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallajt po funksionojnë normalisht. Po pastrohen kanalet e Tonës dhe Tarinit. Situata është e qetë në Krujë dhe Cudhi.
QARKU DIBËR
Situata është kryesisht e stabilizuar, megjithëse po bëhen pastrime dhe hapje përrenjsh në Bulqizë, Dibër, Klos dhe Mat. Furnizimi me energji është normal, përveç fshatit Vakuf.
QARKU SHKODËR
Reshjet me intensitet mesatar deri të lartë kanë krijuar probleme në disa zona. Sistemi rrugor në Fushë-Arrëz po pastrohet, ndërsa në Malësinë e Madhe ka rritje të prurjeve të përroit të Thatë.
QARKU BERAT
Prurjet e lumit Osum po monitorohen për shkak të rrezikut të daljes nga shtrati në lagjen Goricë. Ndërhyrje po kryhen në UKT dhe në bashkitë Poliçan e Dimal, ku uji është tërhequr pjesërisht.
QARKU GJIROKASTËR
Janë pastruar inertet e rëna gjatë natës në akset Kardhiq–Delvinë, Tepelenë–Gjirokastër dhe Gjirokastër–Kakavijë, të cilat tashmë janë të qarkullueshme.
Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura dhe të gjitha strukturat vendore mbeten në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës dhe marrjen e masave të nevojshme në rast përkeqësimi të kushteve atmosferike.




