
Reshjet e dendura të borës në zonën e Fanit në Mirditë, kanë krijuar vështirësi në qarkullim, duke sjellë probleme edhe në Rrugën e Kombit.
Janë shënuar 3 aksidente në segmentin Thirr-Fan-Reps të Rrugës së Kombit. Në orët e para të mëngjesit janë shënuar dy aksidente zinxhir, ndërsa në daljen e fshatit Fan një mjet tjetër ka dalë nga rruga. Aksidentet fatmirësisht janë me vetëm me dëme materiale.
Trashësia e borës arriti në disa centimetra, ndërsa rrëshqitja e një kamioni ka shkaktuar bllokimin e këtij aksi rrugor. Mjetet borëpastruese ndodhen në terren dhe po punojnë për rikthimin e normalitetit në qarkullim.
Reshjet e borës janë prezente në të gjitha akset nacionale e rurale, drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë kujdes të ulin shpejtësinë dhe të jenë të pajisura me mjete dimërore.
Edhe në qarkun e Shkodrës kanë filluar reshjet e borës mëngjesin e sotëm. Qarkullimi i automjeteve në zonat malore duhet te kryhet me goma dimërore.
Në aksin rrugor Qafë Mali – Fierzë kanë nisur reshjet e dëborës në orët e para të mëngjesit, por pa krijuar probleme në qarkullim. Kontraktorët janë në gatishmëri me mjete dhe punëtorë. Në zonat malore, qarkullimi duhet të bëhet me goma dimërore.
Në aksin Qafë Thore ka nisur bora, por rruga është e kalueshme.
Reshje të lehta bore kanë filluar dhe në bashkinë Pukë por pa pengesa në qarkullim. Në bashkinë Fushë Arrëz: Trashësia e dëborës arrin 6-8 cm, por rrugët janë të hapura dhe qarkullimi vijon normalisht./shqiptarja