Reshjet me intensitet të lartë që priten sot pasdite (e hënë, 5 janar) dhe nesër (e martë, 6 janar) rrisin ndjeshëm rrezikun për përmbytje dhe probleme hidrologjike në disa qarqe të vendit, kryesisht në veri dhe jug.

Sipas parashikimit, në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër ekziston rrezik për vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë, si edhe rrëshqitje dherash. Në zonat urbane të këtyre qarqeve mund të shfaqen përmbytje të lokalizuara, veçanërisht në rastet kur sistemi i kanalizimeve nuk përballon sasinë e reshjeve.

Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEO-s, reshjet intensive të ditëve të fundit, të cilat pritet të vijojnë deri të enjten, më 8 janar, do të sjellin rritje të ndjeshme dhe potencialisht të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve të ujit në lumenjtë Drin–Buna, Liqeni i Shkodrës, Mat, Shkumbin dhe Vjosë. Rreziku më i lartë për përmbytje pritet në basenin e Drin–Bunës dhe Liqenin e Shkodrës, gjatë ditës së sotme dhe nesër.

Parashikimi meteorologjik

Reshjet
Sot pasdite dhe nesër, në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, të shoqëruara me shtrëngata. Në Lezhë, Berat dhe Korçë reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive, ndërsa në qarqet e tjera priten reshje të dobëta deri mesatare.

Temperaturat (e martë, 6 janar)

Bregdet: 13 – 17°C

Vendet e ulëta: 12 – 17°C

Vendet malore: 5 – 11°C

Era
Era do të fryjë mesatare deri e fortë në zonat bregdetare dhe në veri të vendit, duke shtuar rrezikun për probleme lokale.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht pranë lumenjve, përrenjve dhe zonave me histori përmbytjesh, si dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për çdo përditësim të situatës. Për më shumë informacion dhe buletinin e plotë mbi rreziqet natyrore, qytetarët mund të konsultojnë faqen zyrtare të IGJEO-s.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu