Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kanë publikuar një paralajmërim zyrtar për mot të keq gjatë javës së ardhshme, me reshje të dendura shiu dhe dëbore që pritet të përfshijnë të gjithë territorin e vendit.

Sipas të dhënave të përditësuara nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU), nga data 17 deri më 20 nëntor 2025, priten reshje intensive, stuhi, rritje të prurjeve në lumenj dhe rrezik i shtuar për përmbytje e rrëshqitje dherash.

E HËNË, 17 NËNTOR – Reshje mesatare deri intensive

• Reshje mesatare dhe lokalisht intensive në Shkodër, Lezhë dhe Vlorë.
• Në Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë, Gjirokastër reshje të dobëta deri mesatare, të shoqëruara me shtrëngata.
• Në qarqet e tjera priten reshje të dobëta. Intensiteti rritet në orët e pasdites.

E MARTË, 18 NËNTOR – Mot i përkeqësuar në gjithë vendin

• Shkodër, Kukës, Vlorë, Gjirokastër: reshje intensive deri shumë intensive.
• Lezhë: reshje intensive.
• Dibër, Durrës, Tiranë: reshje mesatare deri lokalisht intensive.
• Qarqet e tjera: reshje të dobëta deri mesatare.
Të gjitha zonat do të përfshihen nga shtrëngata.

E MËRKURË, 19 NËNTOR – Intensitet maksimal

• Shkodër, Kukës, Vlorë, Gjirokastër: reshje intensive deri shumë intensive.
• Qarqet e tjerë: reshje mesatare deri intensive, me shtrëngata të shpeshta.

E ENJTE, 20 NËNTOR – Ulje e ndjeshme e reshjeve

• Shkodër, Vlorë, Gjirokastër: reshje të dobëta deri mesatare.
• Të gjitha qarqet e tjera: reshje të dobëta.

Dëborë dhe ngrica në zonat e larta

Në zonat mbi 400 metra lartësi në veri, lindje dhe juglindje, reshjet do të jenë në formë dëbore, duke krijuar rrezik për ngrica dhe vështirësi të konsiderueshme në qarkullim.

Rritje e prurjeve në lumin Drin

Sipas IGJEO:
• Fierzë: 150–200 mm reshje
• Koman – Vau i Dejës: deri në 300 mm
Këto prurje rrisin ndjeshëm rrezikun e përmbytjeve në zonat përreth.

Thirrja e Ministrisë së Mbrojtjes

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u kërkon të gjitha institucioneve shtetërore dhe pushtetit vendor që:

✔ Të marrin masa të menjëhershme për parandalimin e përmbytjeve
✔ Të jenë në gatishmëri të plotë për reagim emergjent
✔ Të koordinojnë veprimet me strukturat e tjera për menaxhimin e situatës

Gjithashtu, bashkitë janë urdhëruar të ngrejnë nivelin maksimal të gatishmërisë.

Apel për qytetarët

Qytetarët që jetojnë në zonat më të rrezikuara ftohen të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të ndjekin njoftimet e përditësuara nga strukturat e emergjencave civile.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu