
Prej mbrëmjes së djeshme reshje të dendura shiu dhe erëra të forta kanë përfshirë pothuajse gjithë vendin, me ndikim të veçantë në zonat veriore dhe verilindore. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka njoftuar se të gjitha strukturat e saj janë në gatishmëri të plotë dhe në terren, për të menaxhuar problematikat e shkaktuara nga moti i keq.
Sipas raportit zyrtar, ekipet e ARRSH dhe OSSH vijojnë punën pa ndërprerje për të garantuar qarkullim të sigurt në akset rrugore dhe furnizim të pandërprerë me energji elektrike.
SITUATA NË AKSET RRUGORE
Zona Veriore dhe Verilindore
Në Tropojë, Kukës dhe në aksin Skurraj–Burrel, reshjet intensive shoqëruar me erë të fortë kanë shkaktuar rënie gurësh dhe inertesh në rrugë. Ekipet e mirëmbajtjes kanë ndërhyrë menjëherë, duke mundësuar qarkullim normal.
Aksi Laç – Ura e Drojës
Një segment është përmbytur nga dalja e përroit nga shtrati. Po vijon puna për largimin e ujit dhe rikthimin e qarkullimit.
Aksi Ersekë – Leskovik – 3 Urat
U regjistruan rënie inertesh në trupin e rrugës; kompanitë e mirëmbajtjes janë në terren me mjete dhe personel për pastrim dhe garantim të lëvizjes së sigurt.
FURNIZIMI ME ENERGJI ELEKTRIKE
Situata në rrjetin e shpërndarjes
- OSSH ka angazhuar rreth 1500 punonjës në terren.
- Aktualisht janë jashtë pune 26 fidera të rrjetit të tensionit të mesëm.
- Furnizimi me energji është përmirësuar me 70% krahasuar me orët e para të situatës.
- Në Shkodër, Dibër, Durrës, Vlorë dhe Berat furnizimi është normalizuar plotësisht.
- Rrjeti që furnizon hidrovorët është funksional dhe pa defekte.
Rrjeti i transmetimit
- Nuk raportohen avari.
- Të gjitha linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV operojnë normalisht.
SITUATA NË KASKADËN E DRINIT
Një front i dytë reshjesh me intensitet të lartë pritet të aktivizohet këtë pasdite në të gjithë basenin e Drinit.
- Deri në 80 mm reshje parashikohen në basenin e Fierzës.
- Rreth 130 mm reshje në basenin Koman–Vau i Dejës.
- Në disa zona, pritet që reshjet të jenë edhe më intensive.
Autoritetet deklarojnë se situata është nën kontroll dhe grupet operative janë në gatishmëri të plotë.
FURNIZIMI ME UJË TË PIJSHËM
- Furnizimi me ujë paraqitet optimal në rang vendi.
- Nuk ka ndërprerje energjie në stacionet e pompimit.
- Sistemet me gravitet menaxhohen me masa shtesë për turbullirën gjatë klorinimit.
- Janë në gatishmëri 40 grupe pune, mbi 50 mjete, si dhe ekipet mbështetëse të UKT-ve.
SITUATA NË PORTET DHE AEROPORTIN E TIRANËS
Portet detare
- Porti i Durrësit: Situata e qëndrueshme; tragetet akostohen sipas orarit dhe përpunimi i anijeve vijon normalisht.
- Porti i Sarandës: Pa problematika; lundrimet me Korfuzin vijojnë normalisht.
Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”
Nuk ka raportime për ndërprerje apo probleme në operime.
MBETET NË FUQI MONITORIMI INTENSIV
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë konfirmon se të gjitha strukturat e saj janë të angazhuara për menaxhimin e situatës, me fokus të shtuar në zonat me risk, sidomos në basenin e Drinit gjatë orëve në vijim.







