
Reshje dëbore me intensitet të lartë po bien në zonën e Qafë Thores, duke krijuar vështirësi për qarkullimin rrugor, por pa shkaktuar bllokime deri tani.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njofton se në terren po punojnë njëkohësisht dy borëpastruese për të mbajtur aksin të hapur dhe funksional. Aktualisht, lëvizja e mjeteve vijon pa probleme, ndërsa situata po monitorohet nga grupet e punës që ndodhen në gatishmëri të plotë.
Sipas parashikimeve të motit, reshjet pritet të vazhdojnë me intensitet gjatë gjithë natës, çka mund të sjellë vështirësi si për drejtuesit e automjeteve ashtu edhe për mjetet e mirëmbajtjes së rrugës.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të tregojnë kujdes maksimal, të pajisen me zinxhirë dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve në terren për të shmangur incidentet.



