
Reshjet e dëborës të regjistruara gjatë mëngjesit të sotëm kanë përfshirë qarkun e Dibër, duke zbritur deri në lartësinë 600 metra mbi nivelin e detit. Në zonat mbi 1200 metra, trashësia e dëborës ka arritur mbi 20 centimetra, duke krijuar kushte tipike dimërore.
Kompanitë kontraktore të mirëmbajtjes dimërore kanë nxjerrë në terren mjetet borëpastruese dhe, sipas autoriteteve, akset rrugore Peshkopi–Kukës, Peshkopi–Lurë dhe Ura e Çerenecit–Steblevë–Librazhd janë aktualisht të kalueshme.
Reshje dëbore janë shënuar edhe në Rruga e Arbrit, konkretisht në segmentin nga tuneli T6 deri në hyrje të tunelit të Murrizit, në njësinë administrative Xibër. Megjithatë, nuk raportohen probleme për qarkullimin e automjeteve në këtë zonë.
Policia Rrugore ka intensifikuar patrullimet dhe u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të reduktojnë shpejtësinë dhe të përdorin pajisjet anti-rrëshqitëse, përfshirë zinxhirët. Sipas informacioneve zyrtare, aktualisht nuk ka problematika në zonat e thella të qarkut.






