Në rajon të ardhurat më të larta sipas fuqisë blerëse janë në Mal të Zi, me 68% të mesatares së BE-së, me rritje nga 65% vitin e mëparshëm. Në vend të dytë është Serbia, me 56%, nga 55% një vit më parë. Të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse në Maqedoninë e Veriut kanë mbetur të pandryshuara në 49%. Kosova mungon në renditje.

Në treguesin e të ardhurave për frymë, Shqipëria renditet e parafundit në rajon, me 35% të mesatares së BE-së, në përmirësim nga 37% një vit më parë, duke u ngjitur e parafundit në rajon, teksa lë pas Bosnjë Hercegovinën (në 35% të mesatares së Be në 2024-n, nga 36% në 2023-n). Sërish kryeson Mali i Zi me 54% të PBB-së, i ndjekur nga Serbia (51%) dhe Maqedonia e Veriut (42%).

Përmirësimi i Shqipërisë vetëm në treguesin e të ardhurave për frymë dhe jo në atë të fuqisë blerëse është një indikator i çmimeve të larta në vend, që bëjnë që qytetarët shqiptarë me të njëjtën sasi të ardhurat të blejnë më pak sesa familjet në shtetet e tjera të rajonit, përveç faktit që ata paguhen më pak se homologët në rajon. Çmimet në Shqipëri sipas Eurostat janë sa 62.9% e mesatares së BE-së në 2024-n, më të shtrenjtat në rajon, të ndjekura nga Serbia (61.4%), Bosnjë Hercegovina (59.7%), Mali i Zi (57.9), Maqedonia e Veriut (49.6%).

Të dhënat e tjera nga institutet statistikore të vendeve tregojnë se paga mesatare në Shqipëri në vitin 2024 ishte 770 euro, ndërsa në vendet e tjera të rajonit i ka kaluar 1000 euro në muaj.

Sipas shpjegimit të Eurostat, megjithëse PBB për frymë është një tregues i rëndësishëm dhe i përdorur gjerësisht i nivelit të mirëqenies ekonomike të vendeve, konsumi për frymë mund të jetë më i dobishëm për krahasimin e mirëqenies relative të konsumatorëve në vende të ndryshme.

Në vitin 2024, konsumi individual aktual (AIC) për frymë, i shprehur në standardin e fuqisë blerëse (PPS), varionte nga 72% deri në 141% të mesatares së BE-së në të 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Nëntë vende të Bashkimit Europian regjistruan një konsum individual aktual (AIC) për frymë mbi mesataren e BE-së. Nivelet më të larta u regjistruan në Luksemburg (41% mbi mesataren e BE-së), Holandë (20%) dhe Gjermani (18%).

Ndërkohë, tetëmbëdhjetë vende të BE-së regjistruan një AIC për frymë nën mesataren e BE-së, me nivelet më të ulëta të regjistruara në Hungari (28% nën mesataren e BE-së), Bullgari dhe Estoni (26%).

Diferenca më të mëdha në PBB për frymë sesa në konsumin individual aktual

Prodhimi i brendshëm bruto (PBB) për frymë, një tregues i aktivitetit ekonomik, gjithashtu tregoi dallime të mëdha mes vendeve anëtare të BE-së. Dhjetë vende regjistruan një PBB për frymë mbi mesataren e BE-së. Niveli më i lartë u regjistrua në Luksemburg (242% e mesatares së BE-së), Irlandë (211%) dhe Holandë (136%).

Në anën tjetër të spektrit, PBB-ja për frymë më e ulët u regjistrua në Bullgari (66% e mesatares së BE-së), Greqi (70%) dhe Letoni (71%)./Monitor/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu