Rektori i Universitetit Bujqësor Tiranë Fatbardh Sallaku ka folur sot para socialistëve te Kryesia e Kuvendit sa i takon 24 masave të sigurisë ndaj stafit të këtij universiteti. Duke theksuar se nuk komenton absolutisht vendimet e drejtësisë, u shpreh se ka besim se shumica e pedagogëve u përkasin njerëzve të ndershëm.

“Dua t’ju bëj me dije se dije se edhe unë e kam marrë vesh nga media. Kam mbledhur Asamblenë Akademike të Bujqësorit ku kemi sqaruar situatën dhe dua të konfirmoj se ne nuk komentojmë asnjë vendim të drejtësisë, absolutisht ne besojmë që do ketë një proces të ndershëm, por ajo që unë besoj është se shumica e pedagogëve të mi i përkasin njerëzve të ndershëm. Besoj prapë që asnjë proces nuk e zhbën realitetin e atyre që punojnë te ky universitet. Megjithatë, çdo koleg që është tek masat, ka filluar betejën për të pastruar veten e vet dhe uroj që secili të faktojë se kanë vepruar me ndershmëri dhe duke zbatuar ligjin.”

Sipas tij, ky reagim është i nevojshëm sepse bëhet fjalë për imazhin e një universiteti që ka nisur një reformë me partnerë jashtë vendit.

“Ajo që dua të theksoj është se kjo dalje, jam i detyruar se jam Rektor, por Universiteti është tashmë në një proces që ka filluar para 3 viteve falë investimit personal të kryeministrit dhe kemi 3 vjet që punojmë me një nga universitetet më të mira në Europë. E kemi detyrim t’i sqarojmë partnerët tanë sepse ne kemi filluar një reformë pa kthim dhe me gjithë respektin për çdo ndërmarrje, por në rastin e arsimit të lartë është shumë i rëndësishëm imazhi. Është një universitet që në esencë ka nevojën për të qenë i pranishëm dhe të bindë të rinjtë të studiojnë në këto programe. Jam i gatshëm të shkoj në çdo grupim, aty ku shkon mesazhi qartë dhe pastër. Unë absolutisht nuk mbroj asnjë person që mund të ketë abuzuar dhe ja lëmë drejtësisë komplet. Shpresoj të jetë një proces sa më i ndershëm, por nga ana tjetër kam besim që Bujqësori do ringrihet, sepse kemi pasur goxha sfida të tilla”, deklaroi Sallaku.

Kujtojmë se me urdhër të SPAK, GJKKO caktoi të Martën 24 masa sigurie ndaj stafit të Bujqësorit, 5 prej tyre në “arrest me burg”. Në njoftimin për media, SPAK bëri me dije se janë hetuar 9 procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022 me një vlerë prej 90 milion Lekësh.

Gjatë këtij hetimi janë evidentuar shkelje ligjore të zëvendësrektorëve, Ilir Kapaj dhe Romina Koto të cilët janë lënë në masën “detyrim paraqitje” si dhe përgjegjësit të Departamentit të Moduleve Paraklinike në UBT, Bejo Bizhga, i cili po ashtu u la në “detyrim paraqitje”.

/tvklan.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu