
Bota sapo përjetoi një tjetër alarm klimatik: Maji i vitit 2025 u rendit si muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në shumë zona të globit, me pasoja dramatike në rajone si Groenlanda, ku akulli u shkri 17 herë më shpejt se norma historike.
Shkencëtarët konfirmojnë se ky ishte maji i dytë më i nxehtë globalisht që nga fillimi i matjeve dhe pjesë e pranverës së dytë më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë në Hemisferën Veriore.
Temperatura mesatare globale në sipërfaqe ishte 1.4°C mbi nivelet paraindustriale (1850–1900), duke vazhduar trendin tronditës të muajve ekstremisht të nxehtë: 21 nga 22 muajt e fundit kanë tejkaluar kufirin kritik prej 1.5°C. Sipas shkencëtarëve, edhe pse kjo nuk përbën tejkalim zyrtar të objektivave të Marrëveshjes së Parisit, planeti është në rrezik të madh që kjo të ndodhë së shpejti.
Një studim i ri nga organizata ndërkombëtare World Weather Attribution tregon se vala e nxehtësisë në Islandë dhe Groenlandë muajin e kaluar ishte drejtpërdrejt e lidhur me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu. Temperaturat në Groenlandë ishin deri në 3°C më të larta se normalja, duke çuar në një shkrirje të përshpejtuar të akullit – nga 15 deri më 21 maj, shkrirja u rrit 17 herë mbi mesataren shumëvjeçare.
Në Islandë, më 15 maj u regjistrua një temperaturë rekord prej 26°C, më e larta ndonjëherë për këtë ishull arktik.
Shkaku kryesor mbetet djegia e lëndëve djegëse fosile dhe emetimet e gazrave serrë, të cilat po shtyjnë sistemin klimatik global drejt pikave pa kthim.