Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka reaguar ashpër pas vendimit që Lista Serbe të mos certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025. Sipas SHBA-së, përpjekjet e Vetëvendosjes për të bllokuar këtë proces janë “shkurtpamëse dhe përçarëse”, duke cenuar të drejtat demokratike të qytetarëve të Kosovës.

Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rinisjen e dialogut tonë strategjik për avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane në Facebook.

Vendimi i KQZ-së la jashtë garës dy subjekte politike nga 24 që aplikuan:

  • NISMA, e cila nuk përmbushi kriterin e nënshkrimeve,
  • Lista Serbe, e cila nuk mori votat e nevojshme për certifikim.

Përjashtimi i Listës Serbe ka shkaktuar një valë kritikash nga faktori ndërkombëtar. Misioni i OSBE-së në Kosovë e cilësoi këtë një “devijim të qartë nga standardet zgjedhore ndërkombëtare”, ndërsa edhe BE-ja në Kosovë dhe ambasadori britanik Jonathan Hargreaves shprehën shqetësim për ndikimin që ky vendim mund të ketë mbi integritetin e procesit zgjedhor dhe stabilitetin politik.

Çështja pritet të mbetet në qëndër të vëmendjes në ditët në vijim, teksa presioni ndërkombëtar ndaj institucioneve të Kosovës po rritet ndjeshëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu