Komisioni për Reformën Zgjedhore u mblodh këtë të premte, ku bashkëkryetarët Oerd Bylykbashi dhe Damian Gjiknuri paraqitën qëndrimet e tyre mbi procesin dhe çështjet që kërkojnë adresim.

Bylykbashi theksoi se reforma duhet të marrë në konsideratë një sërë problematikash që, sipas tij, kanë ndikuar në besimin ndaj zgjedhjeve. Ai deklaroi se vota e diasporës ka cenuar besimin tek rezultati zgjedhor dhe kërkoi më shumë transparencë për shpenzimet e fushatave nga partitë politike.

Sipas tij, dakordësimi për reformën duhet të jetë i mbrojtur ligjërisht, në mënyrë që mazhoranca të mos mund të bëjë ndryshime të njëanshme. Bylykbashi ngriti shqetësime edhe për atë që e cilësoi si “pushtim të zgjedhjeve nga shteti”, duke përfshirë përdorimin e individëve dhe të mekanizmave shtetërorë në procesin zgjedhor. Ai shtoi se duhet të verifikohen burimet financiare të partive dhe administrimi zgjedhor.

Nga ana tjetër, bashkëkryetari socialist Damian Gjiknuri u shpreh se procesi do të zhvillohet në koordinim me organizatat ndërkombëtare dhe se produkti final do t’i paraqitet edhe Komisionit të Venecias. Ai bëri thirrje që të gjitha partitë politike të marrin pjesë në tryezë dhe të kontribuojnë me propozime konkrete.

Gjiknuri nënvizoi se ekspertët e ODIHR dhe Bashkimi Europian kanë shprehur gatishmërinë për të asistuar, ndërsa theksoi se transparenca dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë janë thelbësorë për një reformë funksionale. Ndërkohë, Bylykbashi shtoi se problemet kryesore në proces burojnë nga mazhoranca.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu