Hotelet, resortet apo bujtinat që pranojnë referencat e qeverisë për shfrytëzimin minimal të kapaciteteve të tyre, bëjnë biznes të pashqetësuar nga kontrollet. Ato që nuk pranojnë do të jenë në lupën e tatimeve, për deklarimet e tyre, si për numrin e pushuesve ashtu edhe për qarkullimin.

Por ky vendim i qeverisë është pranuar vetëm nga pakica. Shifrat zyrtare të siguruara nga Report TV tregojnë se në total vetëm 370 hotele kanë pranuar referencën e shfrytëzimit prej 65% në sezon veror. Pra një hotel me 100 dhoma, ka pranuar që gjatë sezonit do të deklarojë minimalisht 65 dhoma të zëna.

Këto struktura akomoduese të shtrira përgjatë bregdetit do të bëjnë biznes pa pasur kontrolle nga tatimet për deklarimet e tyre.

Ndërsa shifrat e zyrtare të Ministrisë së Turizmit tregojnë se nga 1422 formularë të plotësuar nga subjektet hoteliere, rreth 74% e tyre ose 1052 subjekte kanë deklaruar shfrytëzim kapacitetesh më të ulët sesa referencat e caktuara në vendimin e qeverisë. Të gjitha biznese që nuk kanë pranuar referencën minimale prej 65% deri më 30 shtator, do të jenë subjekt kontrollesh nga tatimet për evazion fiskal.

Kurse për vjeshtë e deri në pranverë shfrytëzim i kapacitetit nga këto struktura akomoduese është caktuar 30%.

Ky kufizim, vjen për shkak të informalitetit të lartë që ka në sektorin e turizmit, pasi hotelet edhe pse janë plot në pikun e sezonit turistik ata deklarojnë se po shfrytëzojnë 50 të kapaciteteve të tyre ose edhe më pak.

Kjo tendencë vijon edhe përgjatë muajve të parë të këtij viti. Nga janari deri në fund të prillit në Shqipëri kanë ardhur 2,445,370 shtetas të huaj sipas të dhënave të INSTAT. Ndërsa në strukturat akomoduese kanë fjetur për të paktën 1 natë vetëm 378,825 të huaj. Pra vetëm 1 në 6 të huaj rezulton të ketë fjetur në hotele, bujtina apo resorte të vendit.

Kjo diferencë justifikohet nga tre arsye sipas operatorëve të tregut: Strukturat hoteliere nuk deklarojnë numrin real të pushuesve, pjesa më e madhe e të huajve që vijnë janë nga rajoni dhe nuk flenë në Shqipëri ose janë shqiptar me pasaportë të huaj që akomodohen tek të afërmit e tyre.

Kjo fshehje e numrit real të akomodimeve, ka ndikuar negativisht në të ardhurat e buxhetit qendror por edhe tek të ardhurat e pushtetit vendor, pasi për rrjedhojë nuk është deklaruar xhiroja reale e bizneseve e nuk janë paguar taksa./shqiptarja

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu