
Kosova shënon sot dhe nesër 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës, duke organizuar një sërë aktivitetesh përkujtimore në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Reçakut”.
Institucionet qendrore dhe lokale, në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta, po zhvillojnë aktivitete për nderimin e viktimave, me synimin e ruajtjes së kujtesës historike dhe edukimit të brezave të rinj mbi krimet e kryera ndaj popullit të Kosovës.
Gjatë ditës së sotme, ora e parë mësimore në të gjitha shkollat e Komunës së Shtimes i është kushtuar 15 Janarit – Masakrës së Reçakut. Po ashtu, në orën 10:00, në Bibliotekën e Qytetit, Forumi i Intelektualëve të Shtimes organizoi një tryezë shkencore me temën “Mohimet serbe të krimeve dhe gjenocidit – destabilizim për Ballkanin”.
Të enjten (15 janar), ora e parë mësimore kushtuar Masakrës së Reçakut do të mbahet në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës. Programi i ditës përfshin homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime, Mollopolc dhe Reçak, duke filluar nga ora 09:00, si dhe homazhe shtetërore në Kompleksin Memorial në Reçak në orën 10:30.
Në orën 12:00, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, do të mbahet Akademia Përkujtimore, ndërsa në orën 13:00 do të hapet ekspozita “Çmimi William Walker 2026”, edicioni i dytë, me ideatore dhe krijuese Emine Jetishi. Aktivitetet do të mbyllen në orën 15:00 me finalen e Turneut Memorial “Ditët e Reçakut”, në fushën sportive “Arbëri” në Reçak.
Aktivitetet organizohen nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Kryetarit të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, si dhe shoqatave të dala nga lufta.






