
Real Madridi ka triumfuar 3-2 në derbin e zjarrtë ndaj Atlético Madrid, në një ndeshje që dhuroi emocione, përmbysje dhe dramë deri në fund.
Heroi i mbrëmjes për “Los Blancos” ishte Vinícius Júnior, i cili realizoi dopietë dhe udhëhoqi ekipin drejt fitores, duke i dhënë fund edhe mungesës së golave ndaj skuadrës së Diego Simeones.
Pavarësisht dominimit të Realit në pjesën e parë, ishte Atlético që kaloi në avantazh në minutën e 34-t, me Ademola Lookman, pas një aksioni të ndërtuar nga Giuliano Simeone.
Pjesa e dytë solli përmbysjen e madhe. Fillimisht Vinícius barazoi me penallti, ndërsa më pas Federico Valverde shfrytëzoi një gabim në mbrojtjen kundërshtare për të kaluar Realin në avantazh 2-1.
Atlético reagoi dhe barazoi me një supergol të Nahuel Molina nga distanca, por përgjigjja e Realit ishte e menjëhershme, me Vinícius që shënoi golin e fitores me një goditje spektakolare.
Minutat e fundit ishin dramatike: Valverde u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa Atlético ishte pranë barazimit, por Julián Álvarez goditi shtyllën.
Me këtë fitore, Real Madridi ngjitet në kuotën e 69 pikëve, duke mbetur në ndjekje të Barcelonës kryesuese.



