
Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, ka reaguar pas deklaratës së ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj ambasadorit të BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, që lidhej me orientimin e tij seksual.
Në një postim publik, Komisionerja Kos e cilësoi sulmin e Berishës si të papranueshëm, duke theksuar se deklaratat e ambasadorit Gonzato për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin nuk janë qëndrime personale, por parime themelore të legjislacionit të Bashkimit Europian.
“Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së.
Përputhja me to është pjesë e procesit të anëtarësimit në BE.
Kjo nuk është një kërkesë personale e Ambasadorit të BE në Shqipëri.
Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm,” – shkruan Marta Kos.
Deklarata e saj vjen pas reagimit të Sali Berishës, i cili kishte kritikuar ambasadorin Gonzato në mënyrë që është interpretuar gjerësisht si diskriminuese dhe personale.
Reagimi i Komisioneres tregon mbështetjen e institucioneve të BE-së ndaj përfaqësuesve të tyre dhe vazhdimësinë e angazhimit të Unionit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si pjesë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.




