
Qeveria shqiptare ka reaguar për herë të parë pas stërvitjeve ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën, duke garantuar se situata e sigurisë mbetet nën kontroll. Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se Shqipëria i ka të gjitha politikat e sigurisë në përputhje të plotë me aleancën e NATO-s dhe se forcat e armatosura janë të përgatitura sipas standardeve të saj.
Ai theksoi se qytetarët shqiptarë nuk duhet të shqetësohen, pasi siguria e rajonit mbështetet nga mekanizmat e NATO-s, ndërsa Kosova mbetet e garantuar nga prania e forcave të KFOR-it. Sipas ministrit, institucionet shqiptare janë në koordinim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë dhe po ndjekin nga afër çdo zhvillim në rajon, duke përmbushur detyrimet në kuadër të aleancës.



