Ata, të cilët e orkestruan shfaqjen e shëmtuar të mbrëmjes së sotme në rrugët e Tiranës, kanë shkuar tanimë pranë familjeve të tyre.
Ndërsa ata, që fatkeqësisht nuk kthehen dot sonte pranë familjes janë tre efektivë policie, të cilët janë plagosur dhe do të qëndrojnë në spital, për të vetmen arsye se ishin në krye të detyrës.
I falënderova të tre efektivët dhe u urova kthim sa më të shpejtë në shtëpi.
I falënderoj edhe njëherë të gjithë punonjësit e Policisë që u provokuan, goditën dhe madje u lënduan, por treguan profesionalizmin dhe maturinë e një trupe që reagon vetëm proporcionalisht, si një trupë evropiane e një shteti evropian.
Sot ata kishin përballë një turme të çoroditur nga një motivim politik absurd, ku një pjesë individësh kapërcyen vijën e ligjit me akte të dënueshme.
U bllokua deri edhe rruga e autoambulancës, apo u sulmua si kurrë në ndonjë vend demokratik selia e një partie politike kundërshtare (përveç përsëritjeve klasike të sulmeve qorre mbi muret e institucioneve qendrore apo zjarrvënies së pemëve të “qeverisë” që nuk munguan edhe sonte).
Por pavarësisht absurditetit të shfaqjes së sotme të një “mosbindjeje civile”, që fyen inteligjencën e çdo qytetari të këtij vendi, Policia e Shtetit e kreu detyrën konform praktivave më të mira demokratike.
Orkestruesit e kësaj shfaqjeje jocivile sonte do të flenë në shtëpitë e tyre dhe nuk do ta prishin gjumin, as për të çoroditurit nga bllofi i “mosbindjes civile” që natën do ta kalojnë si persona në kërkim për aktet e tyre të paligjshme.
Çdo akt është i dokumentuar dhe çdo autor aktesh antiligjore është tanimë subjekt i organeve ligjzbatuese.
I garantoj qytetarët e këtij vendi se bllofi i mosbindjes civile nuk do të prodhojë asgjë tjetër, përveç përgjigjes proporcionale dhe shteruese të ruajtësve të ligjit ndaj shkelësve të ligjit.
Natën e mirë!