Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje në gjetjen dhe ndëshkimin e kryerësve të një sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, i cili shkaktoi ndërprerjen e përkohshme të furnizimit me ujë në disa pjesë të vendit dhe kërcënoi furnizimin me rrymë, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Matthew Miller.

Miller tha në X se “ne e dënojmë sulmin e 29 nëntorit ndaj ujësjellësit të Kosovës” dhe i falënderoi ekipet emergjente të Kosovës dhe misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, për punën e tyre në rikthimin e furnizimit me ujë.

yacht hotel sarande

Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm, gjë që është mohuar nga Serbia.

Shpërthimi ndaj kanalit në Varragë nuk shkaktoi viktima, por e krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke shkaktuar rrjedhe të ujit jashtë kanalit, duke bërë që disa pjesë të vendit të përballeshin me reduktime uji.

Furnizimi i rregullt me ujë u rikthye pothuajse një ditë pas shpërthimit, njoftuan autoritetet kosovare të dielën, ndërsa furnizimi i Korporatës Energjetike të Kosovës me ujë për ftohjen e termoelektranave të saj nuk u ndikua.

Autoritetet kosovare të sigurisë i arrestuan tetë të dyshuar gjatë një aksioni të gjerë në veri të Kosovës të shtunën, në lidhje me këtë sulm që thanë se ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga paslufta.

Gjatë aksionit policor u sekuestruan mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë raketahedhës dore, tri granata dore, dy pushkë të llojit AK47, një revole, municion të kalibrave të ndryshme, pjesë të armeve, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, të holla në valuta si euro dhe dinar dhe pajisje të tjera.

Sulmi është dënuar nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa Kosova dhe Bashkimi Evropian e kanë cilësuar atë si akt terrorist. /Rel

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu