Zgjedhja e Klodian Brahos si drejtues i ri i SPAK ka sjellë një valë reagimesh zyrtare nga institucionet më të larta të vendit dhe partnerët ndërkombëtarë. Kreu i qeverisë, Presidenti i Republikës, si edhe ambasadat kryesore aleate kanë përshëndetur emërimin e Brahos, duke vlerësuar njëkohësisht edhe punën e bërë nga Altin Dumani gjatë tre viteve të mandatit të tij.

Rama: Braho merr stafetën, Dumani ka merita të pamohueshme

Kryeministri Edi Rama u shpreh se drejtuesi i ri i SPAK do të vazhdojë punën e konsoliduar të institucionit dhe se shumica qeverisëse do t’i ofrojë mbështetje të plotë.

“Punë të mbarë drejtuesit të ri të SPAK-ut, i cili u zgjodh sot mes katër kandidatësh për të çuar më tej punët e mandatit të tretë të institucionit, duke marrë stafetën nga drejtuesi aktual, që meriton përgëzime për arritjet e pamohueshme të SPAK-ut në tre vitet e drejtimit të tij,” shkruan Rama.

Ai theksoi se SPAK “ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës qeverisëse”.

Presidenti Begaj: Përgjegjësi e lartë dhe mundësi për të forcuar besimin te drejtësia

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përshëndeti zgjedhjen e Brahos dhe vlerësoi rezultatet konkrete të arritura nën drejtimin e Altin Dumanit.

“Urime kreut të ri të SPAK, z. Klodian Braho! Drejtimi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit është një përgjegjësi e lartë dhe një mundësi për të forcuar besimin e qytetarëve te drejtësia,” u shpreh ai.
“SPAK nën drejtimin e z. Altin Dumani ka dhënë rezultate konkrete. Lufta kundër korrupsionit kërkon vendosmëri, integritet dhe guxim.”

Ambasada Gjermane: SPAK është kyç për integrimin europian

Edhe Ambasada e Gjermanisë në Tiranë përshëndeti zgjedhjen e Brahos, duke theksuar rolin e SPAK si një prej shtyllave të rëndësishme të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Në deklaratë theksohet se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar “ka rëndësi të jashtëzakonshme për Gjermaninë dhe për kursin europian të Shqipërisë”.

Ambasada e SHBA: Vlerësim për Dumanin, gatishmëri për bashkëpunim me Brahon

Ambasada Amerikane në Shqipëri reagoi duke vlerësuar me nota të larta punën e Altin Dumanit dhe duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me drejtuesin e ri.

“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Altin Dumanin për shërbimin e tij shembullor. Integriteti dhe guximi i tij në mbajtjen para përgjegjësisë të kriminelëve ka forcuar bashkëpunimin SHBA–Shqipëri,” thuhet në deklaratë.
“Ne mezi presim të vazhdojmë partneritetin e fortë me Prokurorin e ri të Posaçëm Klodian Braho.”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu