Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në detyrë të zv.kryeministres Belinda Balluku deri më 22 janar ka shkaktuar një valë të fortë reagimesh politike, me qëndrime diametralisht të kundërta mes aktorëve të opozitës dhe juristëve publikë.

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, e cilësoi vendimin si mbajtje të hapur të anës së qeverisë nga Gjykata Kushtetuese. Sipas tij, vendimi nuk e shpëton Ballukun, por i jep vetëm kohë kryeministrit Edi Rama.

“Gjykata Kushtetuese vendosi të mbajë anën e Edi Ramës dhe të qeverisë së korruptuar. Ky nuk është një vendim që shpëton Belinda Ballukun, por synon të shpëtojë Edi Ramën. Me këtë vendim, Rama thjesht fitoi pak kohë”, u shpreh Shehaj, duke shtuar se fati politik i kryeministrit është vendosur në Perëndim dhe nuk mund të ndryshohet nga asnjë vendim gjykate në Shqipëri.

Në një qëndrim krejt të kundërt, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, e përshëndeti vendimin e Kushtetueses, duke deklaruar se ajo ka ndaluar një “puç kushtetues” ndaj qeverisë.

“Më vjen mirë që Gjykata Kushtetuese ndaloi efektet e një puçi kushtetues të ndërmarrë nga një gjykatës dhe një prokuror kundër qeverisë. Rivendosja e normalitetit juridik ndërmjet pushteteve ishte domosdoshmëri”, shkruan Manjani.

Ai thekson se vendimi nuk ka lidhje me fatin politik të Ballukut apo me qëndrimet e kryeministrit Rama, por me ndalimin e një precedenti të rrezikshëm juridik, duke sqaruar se hetimi ndaj Ballukut mbetet një proces i ndarë që duhet të ndjekë rrugën e tij ligjore.

Ndërkohë, kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, reagoi me tone ironike dhe kritike, duke nënkuptuar se vendimi është marrë për shkak të frikës.

“Kur populli trembet se ka halle, edhe gjyqtarët tremben. Fundja, edhe ata kanë hallet e veta”, shkruan Lapaj, duke njoftuar se protestat përpara Kryeministrisë vijojnë çdo ditë në orën 17:00.

Reagime të ashpra erdhën edhe nga Partia e Lirisë. Kreu i grupit parlamentar, Tedi Blushi, deklaroi se vendimi i sotëm materializon kapjen e Gjykatës Kushtetuese nga qeveria e Edi Ramës, një skenar që sipas tij ishte paralajmëruar prej kohësh nga PL dhe presidenti i saj, Ilir Meta.

“Gjykata Kushtetuese, që duhej të ishte barriera e fundit ndaj abuzimit të pushtetit, është shndërruar në një instrument të mbrojtjes politike dhe të pandëshkueshmërisë”, u shpreh Blushi, duke e cilësuar vendimin si një humbje të madhe për popullin shqiptar.

Gjykata Kushtetuese ka pranuar të shqyrtojë në themel ankimin e Kryeministrisë për pezullimin e Ballukut nga GJKKO, ndërsa seanca e shqyrtimit është caktuar për 22 janar 2026.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu