Ekipi ligjor i z. Erion Veliajt ka reaguar sot ashpër, duke dënuar publikisht rrjedhjen e vazhdueshme të informacioneve mbi çështjen penale ndaj tij. Sipas avokatëve, është shqetësuese që edhe takimi i parashikuar për nesër mes tyre dhe prokurorëve të SPAK-ut është bërë i ditur në media përpara se të njoftohej vetë Veliaj.

“Ky është një tjetër shembull i taktikave të paligjshme që synojnë të krijojnë perceptimin e fajësisë në publik, përpara çdo procesi të drejtë ligjor”, thuhet në reagim. Sipas tyre, zbulimi i përsëritur i të dhënave që përbëjnë sekret hetimor përbën shkelje flagrante të ligjit dhe ndodh me bashkëpunimin e vetë Prokurorisë së Posaçme.

Duke iu referuar raportimeve mediatike se nesër pritet përfundimi i hetimeve dhe shpallja zyrtare e akuzave ndaj Veliajt, ekipi ligjor thekson se kjo do të jetë hera e parë që ai do të ketë mundësinë të shqyrtojë provat dhe të paraqesë mbrojtjen e tij ligjore.

Veliaj mohon të gjitha akuzat ndaj tij dhe shprehet se ndalimi i gjatë, i paarsyeshëm dhe joproporcional përbën një cënim të rëndë të të drejtave të tij dhe të vetë qytetarëve të Tiranës. Sipas tij, qyteti ka nevojë për qeverisje të drejtpërdrejtë dhe funksionale nga kryetari i zgjedhur.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu