Këshilltari Ligjor i Presidentit të Republikës, Ilir Rusmaili, sqaroi mbrëmjen e së martës në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” bazën ligjore që po diskutohet lidhur me shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë. Sipas tij, në media dhe në debate publike është krijuar “kaos interpretimi” për nenin 115 të Kushtetutës.

> “Neni 115 i Kushtetutës ka përcaktuar një shkak kushtetues – shkeljen e rëndë të Kushtetutës ose të ligjeve – që është identik me shkronjën A të nenit 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore. Rasti në fjalë është vetëm shkronja C e nenit 62. Vetëm ai rast ka lidhje me nenin 115! Kushdo që flet për të tjerat, ka ngatërruar rastin. Kjo referencë është pa lidhje, e gabuar!”, deklaroi Rusmaili.

 

Sipas Kushtetutës, një kryetar bashkie mund të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve, dhe ka të drejtë të ankimojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve. Ky ankim pezullon efektin e vendimit derisa të shqyrtohet nga Kushtetuesja.

Ndërkohë, neni 62, pika C e ligjit për vetëqeverisjen vendore parashikon propozimin për shkarkim kur kryebashkiaku nuk paraqitet në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë — që është edhe rasti aktual për Veliajn, i cili ndodhet në paraburgim.

> “Ky nen zbatohet për herë të parë në vend. Nuk ka paqartësi në ligj, ka vetëm në opinionistë”, theksoi këshilltari ligjor i Presidentit.

 

Rusmaili shpjegoi se neni 115 nuk përcakton kompetencën e Këshillit të Ministrave për shkarkim, por ka një funksion garantues, që mbron organet e pushtetit vendor nga ndërhyrjet e pushteteve të tjera.

> “Në rast se Këshilli i Ministrave, me vullnet politik, konsideron se organi i pushtetit vendor ka shkelur Kushtetutën, ka të drejtë ta shkarkojë. Por në rastin e mungesës në detyrë, kjo është çështje juridike, jo politike,” sqaroi ai.

 

Në fund, Rusmaili konfirmoi se Veliaj ka të drejtë ta ankimojë dekretin presidencial, në përputhje me rrugët ligjore të përcaktuara.

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar datën 9 nëntor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në gjashtë bashki: Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, pas shpalljes së vakancave nga Këshilli i Ministrave më 30 shtator.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu