
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, po merr pjesë në konferencën dyditore të organizuar nga grupi i Socialistëve dhe Demokratëve të Parlamentit Europian, mbi programin Willy Brandt për Zgjerimin e BE-së, ku deklaroi se Shqipëria do të anëtarësohet në BE deri në 2030. E filluam këtë proces në 2014 pas Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, tha ai, dhe tani i kemi parakaluar fqinjët.
“Kam qenë njëri prej pjesëmarrësve që në fillim të këtij programi dhe mund t’ju them sot se sa i takon vendit tim, rruga jonë drejt BE-së është më tepër se një ambicie politike. Është një mision kombëtar dhe domosdoshmëri historike. Do të thotë të dalim nga hijet e së kaluarës dhe të ankorohemi në një të ardhme paqeje, lirie dhe të drejtash të barabarta. Dhe kijeni parasysh, ky është i vetmi plan që ne kemi, nuk e kemi një plan B, është i vetmi plan për të tashmen dhe për të ardhmen. Dhe ne jemi gati, ndoshta muajin tjetër pasi të fitojmë zgjedhjet e 11 majit, ambicia jonë mbetet e qartë dhe e pandryshuar: të përmbyllim negociatat teknike deri në Krishtlindjet e vitit 2027 dhe të bëhemi anëtarë të plotë brenda vitit 2030,” deklaroi Balla në fjalën hyrëse.
Më tej kërkoi hapjen e negociatave edhe për Kosovën.
“Ne do të donim shumë që çdo vend t’i niste negociatat. Gjithashtu, Kosova e meriton t’i nisë negociatat sa më shpejt që të jetë e mundur – sa më shpejt që ju të mundeni. Dhe ne duam shumë që edhe Maqedonia e Veriut t’i nisë negociatat,” deklaroi Balla.
Ministri Balla i dha përgjigje interesimit të eurodeputetit kroat, raportues i PE për Serbinë, Tonino Picula, mbi marrëdhëniet me SHBA pas rizgjidhjes së Presidentit Trump, duke deklaruar se Shqipëria është vendi më proeuropian dhe proamerikan në Europë.
“Sa i përket pyetjes për zotin Trump si President i Shteteve të Bashkuara. Në Shqipëri, nëse shqiptarët pyeten për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, më shumë se 90% janë pro.
Nuk besoj se ka ndonjë vend tjetër në Evropë, përfshirë edhe vendet anëtare të BE-së, që ka një përqindje kaq të lartë të mbështetjes për anëtarësimin në BE.
Por gjithashtu jemi me fat, sepse jemi vendi më pro-amerikan në Evropë.
Kështu që, sipas mendimit tim, këto dyja lidhen me njëra-tjetrën. Dhe fitorja e zotit Trump si President i SHBA-ve mund të shihet gjithashtu si një mundësi e madhe për Evropën – fillimisht që të mendojë për bashkëpunim më të fortë.
Dhe së dyti, e dini atë shprehjen e Albert Ajnshtajnit: “Në mes të çdo vështirësie, ekziston një mundësi.”
Le ta shohim këtë si një mundësi për Evropën,” përfundoi fjalën e tij ministri Taulant Balla.
View this post on Instagram
Në panelin “Mbështetje Praktike për Përgatitjet e Anëtarësimit në BE” të punimeve të ditës së parë të kësaj konference, ministri Balla theksoi se Shqipëria, si dhe vendet e tjera pjesëmarrëse sot, ashtu siç e ka thënë Willy Brandt, lideri vizionar që ia dedikoi jetën pajtimit të lindjes me perëndimin në Europë, duan të provojnë shansin për më shumë demokraci. Ai shprehu krenarinë për përparimin e rëndësishëm që kemi arritur deri tani, përfshirë hapjen e dy grupkapitujve të negociatave.