Një raport i fundit mbi ndikimin e ngrohjes globale në shëndetin e njerëzve tregon se i nxehti ekstrem tashmë po shkakton vdekjen e një personi çdo minutë. Raporti lidh varësinë nga karburantet fosile me ndotjen e ajrit, përhapjen e sëmundjeve dhe shfaqjen e zjarreve masive në pyje, duke rezultuar në miliona vdekje çdo vit.

Sipas analizës, qeveritë kanë dhënë gjatë vitit 2023 rreth 2.5 miliardë dollarë në ditë subvencione për kompanitë e karburanteve fosile, ndërkohë që qytetarët humbën një shumë të ngjashme për shkak të temperaturave të larta, që i penguan të punojnë në bujqësi dhe ndërtim.

Megjithatë, reduktimi i djegies së qymyrit gjatë dekadës së fundit ka shpëtuar rreth 400 jetë në ditë, ndërsa prodhimi i energjisë së rinovueshme po rritet me shpejtësi. Ekspertët paralajmërojnë se një e ardhme e shëndetshme është e pamundur pa ndalimin e financimit të karburanteve fosile.

Raporti vë në dukje se numri i vdekjeve të lidhura me nxehtësinë është rritur me 23% që nga vitet 1990, duke arritur mesatarisht 546 mijë vdekje në vit, rreth një vdekje çdo minutë. Dr. Marina Romanello nga University College London tha se miliona vdekje ndodhin çdo vit pa nevojë për shkak të vonesave në zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, ndërsa liderë politikë dhe korporata po ulen pas angazhimeve për klimën.

Ekspertët theksojnë se çdo vdekje nga nxehtësia mund të parandalohet. Prof. Ollie Jay nga Universiteti i Sidneit nënvizoi se stresi nga nxehtësia mund të prekë çdo njeri dhe mund të jetë fatal, ndërsa Laura Clarke nga ClientEarth paralajmëroi se pasojat klimatike nuk janë më paralajmërime të largëta, por realitet i pranishëm.

Raporti i Lancet Countdown 2025, i udhëhequr nga UCL në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe 128 ekspertë nga mbi 70 institucione akademike dhe agjenci të OKB-së, thekson se gjatë katër viteve të fundit, çdo person është ekspozuar mesatarisht ndaj 19 ditëve në vit me nxehtësi kërcënuese për jetën, prej të cilave 16 ditë janë pasojë e ngrohjes globale të shkaktuar nga njeriu.

Në total, kjo ka shkaktuar në vitin 2024, 639 miliardë orë pune të humbura, duke sjellë humbje deri në 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vendet më të varfra.

/tvklan

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu