
Po mbushet gati 1 vit nga vendosja në funksion e kampit të emigrantëve në Gjadër e Shëngjin në kuadër të marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë. E duket se kjo kontratë mes dy qeverive, ka dhe një kosto të lartë për italianët.
Një raport i përbashkët i ActionAid dhe Universitetit të Barit ka hedhur dritë mbi shpenzimet reale të kryera deri më tani për ndërtimin dhe funksionimin e qendrave të përpunimit të migrantëve në Shqipëri.
Dokumenti përshkruan një situatë të rëndë financiare. Që nga inaugurimi në Vjeshtën e vitit 2024 deri në Pranverën e vitit 2025, janë shpenzuar 75 milionë euro vetëm për ndërtimin e dy qendrave në Gjadër dhe Shëngjin.
Krahas ndërtimit, janë edhe kostot e mirëmbajtjes së strukturave dhe pagesat për stafin policor, edhe pse angazhimi i tyre ka qenë minimal, për shkak të vendimeve të shumta gjyqësore që kanë ndaluar transferimin e refugjatëve të huaj në këto qendra.
Një nga shifrat më tronditëse të raportit lidhet me vetëm 5 ditë funksionimi në fund të vitit 2024, që janë shpenzuar plot 570 mijë euro të paguara për mbajtjen e vetëm 20 emigrantëve, të cilët pas 48 orësh janë liruar me vendim gjyqësor dhe janë kthyer në Itali. Pra, kostoja ditore është 114 mijë euro.
Kjo pagesë është bërë nga Prefektura e Romës ndaj shoqërisë Medihospes, që është kontraktuar për menaxhimin e qendrave pritëse në Shqipëri.
Sekretarja e Partisë Demokratike italiane, Elly Schlein, ka reaguar ashpër pas publikimit të këtij raporti financiar. Ajo thotë se Kryeministrja Meloni duhet t’u kërkojë falje italianëve.
“Giorgia Meloni duhet t’u kërkojë ndjesë italianëve. Pas gjithë retorikës kundër shpenzimeve për migrantët, sot përballemi me një raport që tregon një keqpërdorim të papranueshëm të fondeve publike. 114 mijë euro në ditë për një migrant të ndaluar, kjo është pesë herë më shumë se të ardhurat mesatare të një qytetari Italian”, tha Schlein.
Rreth 45% e personave të ndaluar në vitin 2024 ishin azilkërkues. Më shqetësuese, 21% prej tyre nuk kishin asnjë urdhër dëbimi, por ishin ndaluar vetëm për faktin se kishin kërkuar azil. /Repubblica