Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se Shqipëria ka marrë një vlerësim pozitiv nga Bashkimi Europian për prokurimet publike, duke theksuar se raporti rrëzon akuzat për korrupsion.

Sipas tij, raporti i përgatitur nga instrumenti SIGMA në bashkëpunim me OECD analizon panoramën e prokurimeve në rajon dhe evidenton përmirësimet e Shqipërisë.

“Shqipëria spikat me përmirësimet e saj”, u shpreh Rama, duke shtuar se raporti është një tregues i rëndësishëm për mënyrën si funksionon sistemi i prokurimeve në vend.

Kreu i qeverisë theksoi se përmes fakteve dhe shifrave do të dëshmohet distanca mes realitetit dhe akuzave për korrupsion. “Do t’i tregojmë publikut sa larg janë të gjitha ato që thuhen dhe stërthuhen”, deklaroi ai.

Gjatë komunikimit të tij, Rama u ndal edhe tek zhvillimet ekonomike dhe paralajmëroi rritje pagash në sektorin e shëndetësisë duke nisur nga muaji qershor. Sipas tij, mjekët e urgjencës do të trajtohen në të njëjtin nivel me kolegët e tyre, ndërsa shtesat mujore do të arrijnë deri në 18 mijë lekë për mjekët dhe 12 mijë lekë për infermierët dhe teknikët.

Ai bëri me dije gjithashtu se po punohet për një kolonë të re në skemën e pensioneve, e cila do të krijojë një mundësi shtesë mbështetjeje për qytetarët në të ardhmen.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu