
Kryeministri Edi Rama u shpreh se drejtësia e re po përpiqet të marri peng njerëzit rrugës dhe kryebashkiakët pa asnjë provë, për vepra që nuk argumentohen juridikisht apo ligjërisht.
Rama theksoi se ai ndodhet aty për të bërë historinë dhe përsëriti batutën e më shumë se dy dekadave më parë kur ishte kryebashkiak i Tiranës, duke kujtuar se “që kur ishte me flokë të zeza e kishte thënë se nuk kishte bir k…”. Ai shtoi se SPAK e GJKKO kishin mbështetjen e plotë të tij në luftën ndaj korrupsionit, por jo që të merren peng kryebashkiakët pa prova dhe me akuza që nuk qëndrojnë.
“Jam këtu për historinë, ndaj dal këtu dhe i ndal këto llumra, baltra, gurë, nga të gjitha anët, të gjitha këto maskarallëqe. E kam thënë që kur isha me flok të zeza që në atë kohë që nuk ka bir k…. Ça është kljo, me llafe?
Në BE futesh duke luftuar korrupsionin, SPAK do ketë mbështetje të padiskutueshme, por për të luftuar korrupsionin ama. Jo për të marrë peng kryebashkiakun e Tropojës për ta mbyllur brenda, pse preu pyllin, çfarë është kjo? Po ajo tjetra që ka marrë formë të prerë, kryebashkiaku Fushë-Arrëzit, që preu pyllin për të bërë rrugë për qytetarët, bëri burg ai!”, u shpreh kryeministri.
Rama: “Çfarë duhet të bëj unë për 21 janarin? Duhet të jesh i një ligësie, që SPAK e kontrollon Edi Rama. SPAK nuk është vegël e askujt, kjo është shumë e qartë. Kërkojeni në SPAK 21 janarin, çfarë më kërkoni? Nuk ikën 21 janari pa u ndëshkuar, por nuk e jap unë ndëshkimi. 21 janari, drejtësia vonon, por në fund nuk harron. Urgjencë e madhe për të arrestuar kryetarin e bashkisë? Pse nuk ka urgjencë për 21 janarin, janë vrarë 4 njerëz. Çfarë duhet të bëj unë? Ta bëj unë? Ka vdekur ajo kohë, por ka vdekur edhe ajo kohë kur partia, kryeministri kontrollonte drejtësinë. Pllakën e varrit të asaj kohe ia kam vënë unë dhe PS”.
Edi Rama iu referua edhe një çështje problematike institucionale dhe ligjore, që hyn deri në kufinjtë e shkeljes të të drejtave të njeriut, duke iu referuar reformës në drejtësi.
Ai kujtoi një raport të Komitetit të Parandalimit të Torturës në Këshillin e Europës, që rekomandonte teknologjinë e përparuar të audio-regjistrimit të personave që merreshin në pyetje dhe hetoheshin në Prokurori, por që ende nuk është bërë.
Këtu iu referua dosjes për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, procesin hetimor të ndjekur pa asnjë audio-regjistrim nga SPAK.
Rama kujtoi se janë mbi 2 mijë punonjës në KLGJ, për të cilën tha se kishte dëgjuar reagimin e djeshëm, por nuk ka marrë përgjigjen pse kushti i KE për procesin hetimor nuk është realizuar, kur kaq shumë punonjës paguhen nga buxheti dhe taksat e qytetarëve. Në total tha ai janë mbi 3 mijë punonjës të drejtësisë dhe ende nuk ka regjistrime hetimesh.
“Shiko çfarë thotë Këshilli Torturës i Komisionit Europian. Për çështjet e paraburgimit, që e tha edhe dje KLGJ dhe më erdhi mirë që ia dëgjova zërin dje, KLGJ që ka një numër të lartë punonjësish të rritur në 594 punonjës dhe numri i përgjithshëm i punonjësve është mbi 2 mijë veta, në mos gabohem. Dhe mirë bëjnë ata që flasin, trysnia! Fola për paraburgimin, ja e ka thënë Komiteti i Këshillit të Europës, e ka thënë në raport me kohë, për paraburgimin fola dhe unë! E ka thënë Këshilli i Europës, intervistat e personave që pyeten, regjistrimet audio-vizuale përbëjnë një të domosdoshme përpjekje kundër abuzimit, e drejtë e personave. Komiteti për Parandalimin e Torturës e inkurajon Shqipërinë që të shtrijë regjistrimin audiovizual në të gjithë Shqipërinë.
Si mund të kemi ne akoma, kur kemi bërë një reformë me mbështetje masive të drejtësisë së re, ja ku është këtu që ka shkuar në 3342 punonjës, përfshi edhe KLP, punonjës të shtetit shqiptar që paguhet nga buxheti dhe janë akorduar 1,2 miliardë. Tani çfarë duhet të bëjmë ne, të pranojmë që të merren dëshmitë me orë të tëra dhe në fund të japin një fletë aty që ta firmosësh, të të japin 5 fletë pasi të të intimidojnë, se ku të punon babai, të ndalojnë me një fëmijë 3 vjeç në rrugë e të të marrin të thonë hajde me ne (bie kambana, “ja fjalë e vërtetë” thotë Rama). Këto janë standarde, Historia, i kemi parë në këto, historia e ka treguar se kur del nga shinat, bëhet edhe më keq për qytetarët, për institucionet, për shtetin. Si mund të merren sipërmarrësit dhe të cohën radhë atje në SPAK”, u shpreh ai.