Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë për prapaskenat e debatit me disa partnerë ndërkombëtarë lidhur me çështjen e Belinda Ballukut, pas votimit në Kuvend për kërkesën e SPAK.

Në një konferencë për mediat, Rama u shpreh se deklaratat e bëra nga përfaqësitë diplomatike kanë qenë të qarta, por sipas tij janë interpretuar në mënyra të ndryshme.

Kreu i qeverisë theksoi se aktualisht nuk ka një akuzë për korrupsion ndaj Ballukut dhe se çështja është në hetim, ndërsa SPAK duhet të vazhdojë punën pa asnjë pengesë.

“Nuk ka asnjë dyshim që në këtë rast nuk jemi përballë një çështjeje korrupsioni. Sepse vetë SPAK nuk ka ngritur akuzë për korrupsion. Jemi përballë një çështjeje në hetim, që mund të hetohet lirisht pa asnjë pengesë. E inkurajoj prokurorinë që të ndjekë dhe hetojë të gjitha pistat ku mund të shfaqet gjatë rrugës ‘ferra e korrupsionit’. Deri tani nuk jemi përballë një çështjeje korrupsioni,” u shpreh Rama.

Ai pranoi se ka pasur debat me disa partnerë ndërkombëtarë për qasjen ndaj kësaj çështjeje, por theksoi se në rolin e tij përfaqëson interesin e Shqipërisë dhe të qytetarëve shqiptarë.

“Është e vërtetë që kemi pasur debat me disa nga partnerët tanë lidhur me qasjen ndaj kësaj çështjeje. Nuk është sekret. Unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë dhe interesin e shqiptarëve,” tha kryeministri.

Rama shtoi gjithashtu se ëndrra europiane e Shqipërisë mbetet e pandryshuar dhe se, sipas tij, ka përpjekje për të deformuar suksesin që vendi ka arritur në rrugën drejt Bashkimit Europian.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu