Pas komunikimit “Sy m’sy”, kryeministri Edi Rama gjeti kohë të inspektonte punimet që po bëhen në sheshin “Skënderbej” për të pritur liderët e Komunitetit Politik Europian më 16 Maj.Kreu i qeverisë ka zbuluar për publikun një pjesë të skenarit se çfarë pritet të ndodhë atë ditë. Siç duket, organizatorët kanë menduar që të gjithë liderët e Europës të kalojnë pranë statujës së Skënderbeut.

Aty po ngrihet edhe “Shtëpia e Europës” me vizatimet e fëmijëve shqiptarë për Europën. Rama nuk zbulon më shumë, por premton se atë ditë do të jetë një spektakël i Shqipërisë.

“Mirëmëngjes edhe një herë, tani nga sheshi “Skënderbej”, nën hijen e vetë atij, profetit të historisë sonë kombëtare, Gjergj Kastriotit, ku do të kalojnë të gjithë udhëheqësit e Europës më datën 16 Maj dhe këtu po bëhet edhe shtëpia e Europës me vizatimet e fëmijëve të të gjitha qyteteve të Shqipërisë për Europën. Këtu do t’i mikpresim të gjithë ata që do vijnë në kryeqytetin e Europës së Ballkanit. Nuk po zbuloj më shumë, por ky do të jetë një spektakël i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe e gjithë bota do t’i ketë sytë atë ditë nga Shqipëria, nga Tirana, nga sheshi i heroit tonë kombëtar”, tha Rama.

Shqipëria do të presë më 16 Maj 50 liderët e Komunitetit Politik Europian.

Takimi është një mundësi për të diskutuar mbi të ardhmen e rajonit dhe për të thelluar bashkëpunimin me vendet e tjera të Komunitetit Politik Europian.

Komuniteti Politik Evropian është një platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të Presidentit francez Emmanuel Macron, e cila synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.

Samiti pritet të theksojë rëndësinë e Shqipërisë si një partner strategjik për stabilitetin rajonal dhe integrimin evropian./tvklan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu