
Për herë të parë në Shqipëri hapet zyrtarisht një nga spitalet më të mëdha veterinare në Europë – Vet Hospital, një qendër e pajisur me teknologjinë më të avancuar dhe një standard të lartë profesionalizmi në shërbim të kafshëve shtëpiake.
Spitali ofron një gamë të gjerë shërbimesh, duke përfshirë radiografi digjitale, sallë operacioni, shërbim urgjence 24/7, reanimacion, stomatologji, laborator të specializuar, dhoma të dedikuara për sëmundje infektive dhe kujdes intensiv me teknologji të avancuar. Sistemi i menaxhimit të pacientëve është i digjitalizuar, ku çdo kafshë ka një dosje unike për ndjekjen e trajtimit.
Kjo vepër mbresëlënëse është rezultat i punës së katër mjekëve të rinj shqiptarë: Emre Aslan, Erko Prifti, Martin Llazani dhe Marvin Brahja, të cilët sollën në jetë një vizion të guximshëm për shërbimet veterinare në vend.
Gjatë një vizite në ambientet e Vet Hospital, Kryeministri Edi Rama u shpreh i impresionuar nga niveli i lartë i organizimit dhe teknologjisë. Ai përshkroi spitalin si “një destinacion humanizmi dhe kujdesi shëndetësor, një shembull frymëzues sipërmarrjeje që na bën krenarë”.
“Është prekëse dhe emocionuese të shohësh rrugëtimin e brendshëm dhe përkushtimin ndaj kafshëve. Ky është një destinacion që meriton të promovohet si një model për të ardhmen”, – deklaroi Kryeministri.
Në këtë qendër moderne, punojnë mbi 50 mjekë veterinerë, ndërsa çdo ditë trajtohen rreth 100 raste dhe shtrohen deri në 50 pacientë.
Por Vet Hospital nuk kufizohet vetëm me shërbimin mjekësor – në ambientet e tij funksionon një pet shop i kompletuar me ushqime, aksesorë, veshje dhe shërbime estetike si manikyr, pedikyr dhe parfume për kafshët. Ka edhe hapësira për pronarët që dëshirojnë të qëndrojnë pranë kafshëve gjatë trajtimit të tyre.
Ky projekt, i konceptuar me kujdes nga arkitekti italian Davide, është më shumë se një spital – është një pikë referimi për zhvillimin e shërbimeve veterinare në rajon dhe një shembull suksesi për të rinjtë shqiptarë.