Screenshot

 

Kryeministri Edi Rama ka vijuar replikat me gazetarin Blendi Fevziu, duke e akuzuar se ka gënjyer publikun gjatë emisionit “Opinion”, kur deklaroi se dispononte fakte se të paktën 7 ministra udhëtonin privat jashtë vendit gjatë fundjavave, ndërsa në televizione shfaqeshin pamje inspektimesh sikur ata ishin në punë.

Sipas Ramës, kjo deklaratë u dha “me garanci” përpara publikut, por më pas, në reagimin ndaj kryeministrit, Fevziu nuk paraqiti asnjë provë konkrete për akuzën, duke e shmangur thelbin e çështjes dhe duke folur për tema që, sipas Ramës, nuk kishin lidhje me reagimin e tij.

“Kjo nuk ishte thjesht një shmangie e debatit, por braktisje e publikut”, shprehet Rama, duke shtuar se gazetari duhet t’i kërkonte ndjesë publikut për atë që e cilëson si “gënjeshtër me 7 bishta”.

Kryeministri ndalet edhe te deklarata e Fevziut se “1/3 e Shqipërisë ishte nën ujë”, duke e kundërshtuar me shifra konkrete. Rama thotë se Shqipëria ka 2,874,800 hektarë sipërfaqe dhe vetëm 13,160 hektarë ishin të përmbytura, çka sipas tij përkthehet në 1/217 e territorit dhe jo në 1/3, siç u pretendua.

Po ashtu, Rama kundërshton edhe referencën për një “krizë parlamentare të shkaktuar nga kërkesa e SPAK-ut”, duke theksuar se Kuvendi ndodhet në pushimet e dimrit dhe se ajo që cilësohet si krizë parlamentare, sipas tij, është krizë e brendshme politike e opozitës.

Në reagimin e tij, kryeministri akuzon Fevziun se propagandon kundër qeverisë me gabime të rënda faktike dhe se, në vend të ndjekjes së së vërtetës, i shërben asaj që e quan “poteresë mediatike”.

“Poterja gjithçka, e vërteta asgjë”, përfundon Rama reagimin e tij.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu