
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social X lidhur me zaptimin e trotuareve nga bizneset në zonën bregdetare të Lungomares, në Vlorë. Ai bëri thirrje për çlirimin e menjëhershëm të hapësirave publike, duke e cilësuar këtë si një hap të domosdoshëm për të ngritur standardin e shërbimit në përputhje me imazhin e “Shqipërisë Turistike”.
“Asnjë problem me karriget dhe shërbimin në një pjesë të trotuarit, si në Paris, Londër apo New York, por pa harruar që trotuari është i njerëzve dhe kurrsesi i barrikadave, si në Lungomare!” – shkruan Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se Lungomarja është një model modern i një qyteti bregdetar dhe duhet të shërbejë edhe si model për dizajnin e jashtëm të vijës së shërbimeve.
Ai u bëri thirrje të drejtpërdrejtë pronarëve dhe menaxherëve të bizneseve:
“Duhet të heqin vetë tërë barrikadat dhe të bashkëpunojnë me Bashkinë e Vlorës dhe Agjencinë e Zhvillimit të Territorit për dizajnin e ri, për të cilin do t’i mbështesim me kënaqësi.”
Rama ka theksuar se përveç ndërhyrjes në strukturat ekzistuese, synimi është të përmirësohet jo vetëm funksionaliteti, por edhe pamja estetike e vijës turistike, në përputhje me një standard të ri kombëtar për mikpritjen dhe shërbimin./panorama