
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim të zgjeruar me kryetarët e bashkive, ku ka kërkuar angazhim më të madh në zbatimin e prioriteteve të qeverisë në nivel vendor. Në fokus të diskutimeve kanë qenë përmirësimi i shërbimeve për qytetarët, rritja e kapaciteteve të bashkive dhe avancimi i projekteve konkrete për zhvillimin e vendit.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi nevojën për bashkëpunim më të ngushtë mes pushtetit qendror dhe atij vendor, duke nënvizuar se bashkitë kanë rol kyç në realizimin e reformave dhe objektivave strategjikë. Ai paralajmëroi masa për ata që nuk angazhohen në procesin e adresave, duke kërkuar përfundimin e tij sa më shpejt.

Kryeministri njoftoi gjithashtu projekte konkrete, si furnizimi i bashkive me automjete për pastrimin e kanaleve dhe menaxhimin e përmbytjeve, si dhe prodhimin e mjeteve zjarrfikëse për të përballuar rritjen e zjarreve. Në vëmendje ishte edhe forcimi i emergjencave civile dhe menaxhimi i mbetjeve, sidomos gjatë sezonit turistik.
Një tjetër pikë kyçe ishte “paketa e maleve”, për të cilën Rama kërkoi më shumë angazhim nga bashkitë, duke theksuar interesin e lartë të investitorëve, përfshirë edhe emigrantët. Ai kërkoi gjithashtu që bashkitë të identifikojnë ndërtesa historike për muzealizim, në funksion të zhvillimit të turizmit.
Në fund, Rama theksoi rëndësinë e forcimit të arsimit profesional, ndërtimit të konvikteve dhe mbështetjes së bizneseve të vogla përmes skemave të financimit, duke kërkuar nga bashkitë që të jenë aktive në çdo projekt zhvillimi.






