
Një debat i fortë është zhvilluar në rrjetet sociale mes Kryeministrit Edi Rama dhe gazetares Klodiana Lala, lidhur me çështjen e inceneratorit të Tiranës, ndotjen mjedisore dhe përgjegjësitë për situatën e krijuar nga mbetjet plastike.

Gjithçka nisi pas një reagimi të Kryeministrit Rama, i cili kritikoi ashpër një koment në rrjete sociale, duke e cilësuar si dizinformim pretendimin se inceneratori i Tiranës mban përgjegjësi për shishet dhe qeset plastike që hidhen në rrugë, lumenj dhe përfundojnë në dete.
Në reagimin e tij, Rama theksoi se:
> “Normalisht një gazetar nuk urren, nuk shpif, nuk dizinformon, por lexon, informohet dhe informon… ndërsa publiku përmbytet përditë nga prurjet e urrejtjes, shpifjes dhe dizinformimit.”
Ai shtoi se ia kishte hequr emrin autores së komentit, pasi nuk e interesonte polemika personale, por ajo që e cilësoi si një problem serioz i keqinformimit publik.
Reagimi i gazetares Klodiana Lala
Pak minuta pas reagimit të Kryeministrit, gazetarja Klodiana Lala reagoi publikisht në rrjetet sociale, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Ramës me tone të ashpra.
Në postimin e saj, ajo shkruan:
> “I paska dalë gjumi mbretit lakuriq… O mbret që s’ta tha njeri që je lakuriq prej 14 vitesh. Të sfidoj të më dërgosh një foto të inceneratorit të Tiranës që na ka gllabëruar miliona euro.”
Gazetarja vijon duke e akuzuar Kryeministrin për përgjegjësi direkte në situatën mjedisore dhe sociale, duke shtuar se:
“Lëkura shollë na është bërë nga balta juaj.”

Në fund të reagimit të saj, Lala i bën thirrje Ramës për debat publik të drejtpërdrejtë, ndërsa përmend edhe situatën e përmbytjeve në Durrës:
“Më harron në Durrës ku 1500 shtëpi dhe mijëra hektarë tokë janë nën ujë. Presin dëmshpërblim.”
Debati ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, duke rikthyer në vëmendje çështjen e inceneratorëve, përgjegjësinë institucionale për ndotjen dhe rolin e medias në informimin e publikut.






